Komediani britaniko-amerikan dhe moderatori i emisionit të njohur të HBO Last Week Tonight, John Oliver, në edicionin më të fundit të programit të tij mbajti një monolog të ashpër mbi krizën humanitare në Gaza, duke akuzuar drejtpërdrejt qeverinë izraelite se po e urisë qëllimisht enklavën palestineze.
“Të thuash se Gaza po vuan nga uria është objektivisht e vërtetë, por edhe pak e gabuar, sepse tingëllon shumë pasive. Gaza nuk po vdes nga uria – Gazën po e urisë Izraeli,” tha Oliver, duke theksuar se bëhet fjalë për një politikë të qëllimshme dhe sistematike të autoriteteve izraelite, jo për një gjendje natyrore ose të pashmangshme.
Ai u mbështet në raportet e organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë edhe ato të B’Tselem-it izraelit, si dhe në artikuj të publikuar nga gazeta Haaretz, duke paralajmëruar se bllokada izraelite dhe pengimi i shpërndarjes së ndihmave janë arsyeja kryesore pse banorët e Gazës po uriten.
Pa e fshehur indinjatën, Oliver e krahasoi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu me një “magjistar mashtrues” që përpiqet të mashtrojë publikun:
“Netanyahu është si një iluzionist mashtrues që pretendon se nuk ka asgjë në kapelë, ndërkohë që të gjithëve u duken veshët e lepurit që dalin jashtë. Sa budallenj mendon se jemi?”, pyeti ai, teksa në ekran shfaqej një karikaturë satirike e Netanyahut i veshur si magjistar.
Në një moment të emisionit, ai i drejtoi Netanyahut mesazhin: “Go to hell” (“Shko në ferr”), duke shkaktuar duartrokitje të fuqishme nga publiku.
Oliver kritikoi edhe ministrat e krahut të djathtë ekstrem në qeverinë izraelite, Itamar Ben-Gvir dhe Bezalel Smotrich, duke thënë se deklaratat dhe veprimet e tyre tregojnë qartë se ndihma humanitare është ndaluar qëllimisht.
Ai nuk kurseu as Shtetet e Bashkuara, duke kritikuar hapur Uashingtonin për ndihmën ushtarake prej 18 miliardë dollarësh ndaj Izraelit gjatë vitit të parë të luftës, duke theksuar se kështu edhe SHBA mban përgjegjësi direkte për urinë në Gaza. Ai ironizoi edhe “përpjekjet poshtëruese e cinike” për ta maskuar këtë gjendje duke hedhur ndihma nga ajri.
“Është shumë e vështirë të mos mendosh se arsyeja kryesore pse ndihma nuk po mbërrin në Gaza është sepse Netanyahu dhe qeveria e tij thjesht nuk duan,” tha Oliver.
Duke iu përgjigjur pretendimeve izraelite se në Gaza nuk ka uri, ai u shpreh sarkastik: “Vërtet? Sepse ne të gjithë po e shohim me sytë tanë. Mohimi juaj është një fyerje ndaj arsyes së shëndoshë.”
Ai përmendi edhe presidentin amerikan Donald Trump, i cili gjatë një vizite në Skoci tha se “fëmijët në Gaza duken shumë të uritur”, çka Oliver e quajti “një eufemizëm masiv, në nivelin e shprehjes ‘ishim vetëm miq’”, ndërkohë që në ekran shfaqej një foto e Trumpit me Jeffrey Epsteinin.
Në përfundim, Oliver bëri thirrje për një presion më të madh ndërkombëtar ndaj Izraelit për t’i dhënë fund bllokadës dhe për të lejuar hyrjen e ndihmave:
“Shumica e katastrofave humanitare nuk kanë një zgjidhje kaq të qartë dhe të arritshme. Uraganët nuk kanë butonin ‘ndalo’, pandemitë nuk zhduken vetëm pse vë një shenjë ‘mos infekto’ te dera. Por kjo uri ka – sepse është plotësisht e shkaktuar nga veprimet e njeriut. Dhe ai buton duhet shtypur, menjëherë,” përfundoi ai.
Monologu i tij, i mbushur me sarkazëm, humor dhe kritika politike të drejtpërdrejta, u prit me ovacione në studio dhe mori reagime pozitive të shumta në rrjetet sociale, ku pjesë nga emisioni po shpërndahen në mënyrë virale.
Me këtë qëndrim, Oliver iu bashkua një numri gjithnjë e më të madh figurash mediatike amerikane që kritikojnë hapur politikën e qeverisë izraelite ndaj Gazës, përfshirë edhe Seth Meyers, i cili javën e kaluar kërkoi ndalimin e ndëshkimit kolektiv të popullit palestinez.