Komandanti i KFOR-it, Gjeneralmajor Ozkan Ulutas, ka deklaruar se situata në veri të Kosovës ndonëse në përgjithësi është e qetë, megjithatë mbetet e brishtë.
Në emisionin “Five”, në RTV Dukagjini, Ulutas tha se pas rritjes së tensioneve në vitin e kaluar në veri të Kosovës, NATO ka dërguar qindra trupa shtesë, duke katërfishuar praninë e KFOR-it dhe trefishuar numrin e patrullimeve.
“Në përgjithësi, situata është e qetë, por mbetet e brishtë. Pas rritjes së tensioneve në vitin e kaluar, NATO zbarkoi qindra trupa shtesë. Katërfishuam praninë e KFOR-it n veri të Kosovës dhe trefishuam numrin e patrullimeve, përfshirë ato përgjatë vijës së kufirit administrativ. Forca e misionit tonë aktualisht është rreth 4500 trupa, me kontribute nga 28 vende, përfshirë aleatët dhe partnerët e NATO-s. Këto janë hapa të kujdesshëm për të siguruar që misioni i KFOR-it të vazhdojë ta përmbush mandatin e tij të OKB-së, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, të ofrojë një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, si dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dihet në mënyrë të paanshme”, u shpreh ai.
Ndërkohë, Ulutas shtoi se do të vazhdojnë që me përpjekjet e tyre t’i parandalojnë eskalimet. Ai tha se janë të gatshëm që t’i përgjigjen sfidave të mundshme.
“Do të vazhdojmë me përpjekjet tona për t’i parandaluar eskalimet dhe jemi të gatshëm që t’i përgjigjemi sfidave të mundshme, duke e përshtatur praninë tonë, sipas nevojës, në përputhje me mandatin tonë të OKB-së. Vazhdojmë që të veprojmë si përgjegjësi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX), si përgjegjësit e parë dhe të dytë respektivisht, me të cilët bashkëpunojmë dhe koordinojmë në mënyrë të rregullt”, tha Ulutas.
Ulutas ka ritheksuar qëndrimin e sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, gjatë vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor në nëntorin e kaluar se NATO mbështetë fuqishëm dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë.
“Siç e tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së gjatë vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor në nëntorin e kaluar, “Stabiliteti varet nga të gjitha palët, duke zgjedhur diplomacinë para dhunës. NATO mbështetë fuqishëm dialogun e lehtësuar nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës. Të dyja palët duhet të angazhohen me mirëbesim. Kjo ishte e vetmja mënyrë për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve”.
Ndërkohë teksa pyetet se cila është situata e përgjithshme në zonat kufitare me Serbinë, Ulutas thotë se në mënyrë të paanshme KFOR-i po ofron një mjedis të sigurt dhe të qetë.
“Mandati i KFOR-it është i qartë, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999: të ofrojë një mjedis të qetë dhe të sigurt pēr të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, si dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. Trupat e KFOR-it po realizojnë patrullime në mbarë Kosovën, përfshirë patrullimet e përbashkëta me Policinë e Kosovës dhe patrullimet e sinkronizuara me Forcat e Armatosura Serbe, në secilën anë të vijës së kufirit administrativ”.