Kolonistët e paligjshëm izraelitë morën në përdorim burimin që shërben për furnizimin me ujë të 30 fshatrave palestineze në zonën e Ramallahut, raporton Haaretz.
Kolonistët demontuan tubacionin që çonte ujin nga burimi Ein Samia drejt fshatrave përreth dhe, në vend të tij, e lidhën me një pishinë të afërt, sipas raportit.
Ein Samia përfshin pesë puse që i përkasin Autoritetit Palestinez të Ujësjellësit në Jerusalem. Puset janë vandalizuar katër herë gjatë muajit të fundit.
Megjithatë, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) nuk vendosën trupa për të mbrojtur burimin, dhe asnjë i dyshuar nuk është arrestuar.
Kolonistët dëmtuan kamerat e sigurisë në Ein Samia dhe vandalizuan infrastrukturën e ujësjellësit, çka shkaktoi ndërprerje të zgjatura të furnizimit me ujë në fshatrat përreth.
Pishina që përdorin kolonistët për të mbushur Ein Samian quhet “Burimi i Bariut” dhe është emëruar në nder të dy izraelitëve që u vranë në vitin 2023.
Në një video ku u bëhet thirrje publikut të dhurojë për pishinën, kolonistët thonë se ajo pompë ujë në zonën e Ramallahut që nga viti 1965.
“Por nuk u dorëzuam, dhe pas përpjekjesh të mëdha, Shepherds Spring rikthehet në jetë,” thotë Micha Sudai, pronar i një ferme të paligjshme në afërsi.
Duke iu përgjigjur raportit të Haaretz, IDF njofton se ditët e fundit trupat kanë marrë disa raporte për civilë izraelitë që dëmtojnë infrastrukturën e ujësjellësit në zonën e Ein Samias. Megjithatë, kur trupat mbërritën, të dyshuarit ishin larguar.
Ushtarakët thonë se marrin seriozisht këtë çështje dhe kanë lejuar punonjësit komunalë të Autoritetit Palestinez të kryejnë riparime në Ein Samia.
Arrestimet për rastet e dhunës nga kolonistët janë shumë të rralla, e dënimet edhe më të pazakonta, çka ka shtyrë një numër në rritje vendesh perëndimore të vendosin sanksione ndaj kolonistëve dhunues.