Një grup kolonësh, të mbrojtur nga forcat izraelite, kanë hedhur gurë mbi makinat palestineze pranë fshatit Ein al-Beida, në lindje të Bregut Perëndimor
Kolonët izraelitë kanë kryer një seri sulmesh kundër palestinezëve dhe pronave të tyre në gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve WAFA, sulmet kanë ndodhur të enjten vonë.
Një grup kolonësh, të mbrojtur nga forcat izraelite, kanë hedhur gurë mbi makinat palestineze pranë fshatit Ein al-Beida, në lindje të Bregut Perëndimor.
Një incident i ngjashëm u raportua gjithashtu në qytetin perëndimor Tulkarem, në veri të Bregut Perëndimor, ku janë shkaktuar dëme në shumë makina palestineze.
Ndërkohë, Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se një foshnjë e plagosur i mbijetoi një sulmi kolonësh kur ambulanca që po e transportonte në spital u sulmua nga kolonët.
Sulme të tjera nga kolonët u raportuan gjithashtu në zonat pranë qytetit Nablus dhe qytetit Salfit, në veri të Bregut Perëndimor, ku kolonët hapën zjarr ndaj palestinezëve dhe pronave të tyre, por nuk u raportua për të lënduar.
Tensionet janë rritur në gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar në muajt e fundit për shkak të bastisjeve të përsëritura izraelite në qytetet palestineze.
Të hënën, forcat izraelite filluan bastisjen e tyre më të madhe në Jenin në më shumë se 20 vjet, duke vrarë 12 palestinezë, përfshirë pesë fëmijë, sipas një deklarate nga Ministria palestineze e Shëndetësisë.
Sipas ministrisë, mbi 192 palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite që nga fillimi i këtij viti.
Të paktën 26 izraelitë janë vrarë gjithashtu në sulme të veçanta gjatë së njëjtës periudhë.
