Në një bastisje të kryer dje nga pjesëtarë të ushtrisë izraelite së bashku me kolonët në fshatin sirian al-Asha, u konfiskuan më shumë se 200 dele nga fshatarët në territorin e pushtuar.
Pjesëtarët e divizionit 210 të ushtrisë izraelite i dhanë mbështetje kolonëve, të cilët e transferuan bagëtinë e vjedhur në territorin e pushtuar.
Sipas burimeve izraelite, një grup kolonësh kaloi kufirin me Sirinë të hënën për të themeluar një vendbanim të ri në anën siriane të Lartësive Golan, të cilin e quajtën Neve Bashan.
Këto aktivitete të kolonëve përbëjnë një fazë të re të okupimit të territorit sirian, e cila është krejtësisht identike me atë që ata kanë bërë për dekada në Palestinë dhe në Bregun Perëndimor.
Sulmet ndaj puseve, bagëtive, por edhe çdo pasurie tjetër bujqësore e shoqërore, janë shenjë dalluese e operacioneve të kolonëve, aktivitetet e të cilëve gjithmonë zhvillohen në koordinim me trupat e ushtrisë izraelite në terren.
Kolonët në Bregun Perëndimor, por edhe në jug të Sirisë, hyjnë në grupe të organizuara, të cilat zakonisht janë të armatosura dhe madje trajnohen së bashku për të marrë nën kontroll fshatra palestineze ose siriane.
Pas rënies së regjimit të Bashar al-Assadit, ushtria izraelite hyri në pjesët jugore të Sirisë me arsyetimin se dëshironte të krijonte një zonë tampon me autoritetet e reja siriane, por edhe të rishikonte marrëveshjen kufitare sipas së cilës Siria ka të drejtë mbi një pjesë të sovranitetit në Lartësitë Golan.