Kolona kilometrike janë regjistruar në urën që lidh Krimenë me Rusinë jugore, pasi sulmet ukrainase ndaj këtij gadishulli janë intensifikuar.
Qindra automjete po presin në kolona për disa orë për t’u larguar drejt Rusisë. Kulmi i ngarkesës u regjistrua të premten në mëngjes, kur 2.800 automjete prisnin të dilnin, pasi Ngushtica e Kerçit u mbyll përkohësisht për shkak të një sulmi ukrainas me dron gjatë natës, sipas të dhënave të agjencisë shtetërore Tass. Pothuajse dy herë më shumë vetura po përpiqeshin të largoheshin nga Krimea sesa të hynin në të.
Ndërkohë, autoritetet ruse shpallën gjendje të jashtëzakonshme në Krime, pasi sulmet ukrainase shkaktuan ndërprerje të energjisë elektrike dhe mungesë karburanti.
Guvernatori i qytetit i emëruar nga Kremlini, Mihail Razvozhayev, deklaroi se kufizimet në furnizimin me energji elektrike do të mbeten në fuqi, pasi punimet për riparimin e rrjetit elektroenergjetik janë pezulluar për shkak të alarmeve ajrore të shkaktuara nga aktiviteti i dronëve ukrainas.
Komandanti i forcave ukrainase për mjetet ajrore pa pilot, Robert Brovdi, tha se Kievi në orët e para të mëngjesit të së mërkurës e kishte sulmuar shtatë herë nënstacionin kryesor elektrik në Sevastopol.
Kujtojmë se Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014, gjë që u dënua gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar, pasi protestat e Maidanit çuan në rrëzimin e presidentit të atëhershëm prorus të Ukrainës, Viktor Yanukovych. Qyteti port i Sevastopolit historikisht është selia e Flotës ruse të Detit të Zi.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, që pas marrjes së detyrës në vitin 2019, kishte deklaruar se dëshiron ta rikthejë Krimenë nën kontrollin ukrainas, ndërsa kjo retorikë është forcuar edhe më shumë pasi Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në vitin 2022.
Pikërisht çështja e Krimesë është një nga pengesat kryesore në çdo përpjekje për marrëveshje mes Rusisë dhe Ukrainës për ndërprerjen e luftës.










