Roboti Ling Ghu është i aftë për lëvizje në të gjitha drejtimet dhe mund të përshtatet me terrene të pabarabarta ose komplekse
Kina ka paraqitur robotin e saj të parë humanoid të dizajnuar për operacione në grup dhe në skenarë të ndryshëm, duke përdorur një sistem “një tru – shumë forma” që lejon një tru të vetëm të inteligjencës artificiale të kontrollojë disa forma robotësh, transmeton Anadolu.
Roboti, i quajtur Ling Ghu, bazohet në një arkitekturë inteligjente e modelit të madh të mishëruar. Ai është i gjatë 1,66 metra, peshon 40 kilogramë dhe paraqet 33 shkallë lirie.
Ling Ghu është i aftë për lëvizje në të gjitha drejtimet dhe mund të përshtatet me terrene të pabarabarta ose komplekse.
I zhvilluar bashkërisht nga Youibot Robotics në Hefei dhe Instituti i Kërkimeve të Robotëve Inteligjentë të Mishëruar, një sipërmarrje me Universitetin Xi’an Jiaotong, roboti ka për qëllim të kryejë një sërë detyrash industriale, nga inspektimi i pajisjeve deri te ngarkimi i materialeve.
Themeluesi i kompanisë Youibot Robotics, Zhang Chaohui, tha se modeli “një tru – shumë forma” mundëson vendosjen fleksibile të formave robotike të përshtatura në raste specifike të përdorimit industrial. Ai tha se roboti pasqyron kërkesën në rritje për robotë që kryejnë shumë detyra në sektorë të ndryshëm.
Në depot e tregtisë elektronike, roboti Ling Shu mund të marrë pako me njërën dorë teksa i skanon ato me tjetrën. Një “bip” konfirmon hyrjen në sistem.
“I gjithë procesi integron kontrollin e forcës në duar dhe një sistem perceptimi vizual 3D, duke mundësuar lëvizje të qetë dhe gjithëpërfshirëse”, tha Zhao Wanqiu, bashkëthemelues i kompanisë Youibot Robotics.
Ai gjithashtu tha se preciziteti në nivel milimetrik i robotit i mundëson atij të rendisë pakot, të zbulojë defektet, të trajtojë pllakat dhe të kryejë inspektime në mjedise komplekse industriale.