Deklarata e Pekinit vjen pasi presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi se Parisi do ta njohë shtetin e Palestinës në OKB në shtator
Kina shprehu mbështetje për konferencën e OKB-së mbi Palestinën të planifikuar për javën e ardhshme në një përpjekje për të forcuar mbështetjen për një zgjidhje me dy shtete, transmeton Anadolu.
Duke e quajtur Palestinën një “thelb të çështjeve të Lindjes së Mesme”, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Guo Jiakun tha: “Zgjidhja me dy shtete është e vetmja mënyrë praktike për të dalë nga çështja palestineze”.
Guo iu përgjigj një pyetjeje mbi njoftimin historik të presidentit francez Emmanuel Macron të enjten se Parisi do ta njohë zyrtarisht Shtetin e Palestinës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator.
Guo tha se Kina “mbështet konferencën e nivelit të lartë për zbatimin e zgjidhjes me dy shtete në Kombet e Bashkuara”.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë me bashkësinë ndërkombëtare për të promovuar armëpushimin në Gaza, për të lehtësuar krizën humanitare, për të zbatuar zgjidhjen me dy shtete dhe më në fund për të arritur një zgjidhje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme të çështjes palestineze”, tha Guo.
Njoftimi i Macronit shkaktoi reagime si nga Izraeli, ashtu edhe nga aleati i tij, SHBA-ja.
Franca do të bëhet anëtari i parë i G7, një grup i ekonomive më të mëdha të zhvilluara në botë, që njeh shtetin palestinez. Aktualisht, 147 nga 193 shtete anëtare të OKB-së e njohin zyrtarisht Shtetin e Palestinës.
Ky veprim vjen gjithashtu mes ofensivës brutale të Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, e cila ka vrarë gati 60.000 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën, ka rrënuar sistemin e kujdesit shëndetësor dhe ka çuar në mungesa të mëdha ushqimore.