Khamenei iu drejtua muslimanëve: Programi bërthamor është justifikim, Perëndimi na urren për shkak të islamit dhe dijes

Udheheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, deklaroi të martën se fuqitë perëndimore, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përdorin programin bërthamor iranian si justifikim për konfrontim me Republikën Islame. “Çështja bërthamore, pasurimi i uranit dhe të drejtat e njeriut janë vetëm alibi. Problemi i tyre i vërtetë është feja iraniane, dija dhe bashkimi kombëtar nën flamurin e islamit dhe Kur’anit,” tha Khamenei gjatë ceremonisë përkujtimore 40-ditore të vdekjes së komandantëve ushtarakë dhe shkencëtarëve iranianë që humbën jetën në konfliktin trembëdhjetëditor me Izraelin.

Presidenti amerikan Donald Trump u shpreh ditën e diel me habi që Teherani vazhdon të insistojë për pasurimin e uranit, pavarësisht sulmeve ajrore amerikane muajin e kaluar ndaj objekteve bërthamore iraniane, dhe premtoi goditje të reja nëse Irani rifillon programin e tij bërthamor.

Duke folur të martën në sallën Imam Homeini Hosseiniyeh në rezidencën e tij në Teheran, Khamenei iu drejtua familjeve të të rënëve dhe zyrtarëve shtetërorë.

“Bota tani ka parë nga afër kapacitetin e plotë të Republikës Islame. Këto ngjarje nuk janë asgjë e re për ne. Që 46 vjet ne rezistojmë grushtshteteve, luftërave, trazirave politike dhe çdo lloji komploti,” theksoi ai.

Khamenei shtoi se Irani nuk do të heqë dorë nga dy shtyllat themelore – “feja dhe dija” – pavarësisht presionit në rritje ndërkombëtar.

“Me ndihmën e Zotit, do të vazhdojmë të ecim me hapa të mëdhenj drejt forcimit të besimit tonë dhe thellimit të arritjeve tona shkencore. Për zhgënjimin e armiqve tanë, do ta ngremë Iranin në kulmin e përparimit dhe krenarisë,” deklaroi Khamenei.

Programi bërthamor iranian prej kohësh është pikë konflikti në marrëdhëniet me Perëndimin, ku Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë evropiane akuzojnë Teheranin për tentativë zhvillimi armësh bërthamore. Irani i hedh poshtë këto akuza, duke pohuar se aktivitetet e tij bërthamore janë vetëm në qëllime paqësore.

Kategoritë
BotaLajme