KFOR-i turk ofron mbështetje shëndetësore në Komunën e Mamushës

Kryesia e delegacionit turk në kuadër të KFOR-it ka mundësuar rinovimin e laboratorit të Qendrës së Mjekësisë Familjare

Kryesia e delegacionit turk që vepron në kuadër të Misionit të Forcave Paqeruajtëse të Kosovës (KFOR), ka bërë rinovimin e laboratorit të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Komunën e Mamushës, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e hapjes së qendrës shëndetësore morën pjesë Ambasadori i Turqisë në Prishtinë, Çağrı Sakar, ministri i Zhvillimit Rajonal i Kosovës, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Fikri Damka, deputetët Fidan Brina Jilta dhe Enis Kervan, Kryetari i Komunës së Mamushës, Abdulhadi Krasniç, kreu i KFOR-it turk, kolonel Savaş Yanar, dhe zyrtarë të tjerë.

Ambasadori Sakar, në një prononcim për gazetarët, tha se ushtria turke, krahas Turqisë, kontribuon në paqen dhe stabilitetin edhe në vende të tjera, përfshirë Kosovën.

Sakar u shpreh i lumtur për realizimin projektit në Mamushë.

“Dje ishte përvjetori i 22-të i operacionit të NATO-s për çlirimin e Kosovës. Ushtria turke këtu është pranë popullit të Kosovës. Unë sërish shpreh falënderimet e mia për kontributin që i japin miqësisë midis Kosovës dhe Turqisë me projektet që i realziojnë në mbarë Kosovën”, theksoi Sakar.

Ndërkaq, Serkan Irtekin, oficer përgjegjës për Bashkëpunimin Civilo-Ushtarak brenda KFOR-it turk, tha se përfaqësia ushtarake turke “kreu edhe një projekt që do të jetë në shërbim të vëllezërve kosovarë, për njerëzit dhe shëndetin, në një periudhë pandemie kur mirëqenies shëndetësore i kuptohet vlera më së miri, duke i shtuar edhe një hallkë unitetit, frymës së solidaritetit dhe miqësisë historike midis Turqisë dhe Kosovës”.

Pas prerjes së shiritit, mysafirët inspektuan materialet mjekësore të siguruara nga kryesia e delegacionit turk.

Në kuadër të projektit janë siguruar centrifuga, aparat për numërimin e gjakut, mikroskop, distilues, karrige për marrjen e gjakut dhe pajisje të tjera.

Kategoritë
LajmeVendi