Kërkesë tronditëse e ministrit izraelit: “Për çdo dron të Hezbollahut duhet të rrëzohen 10 ndërtesa në Bejrut”

Bezalel Smotrich ka bërë një kërkesë tronditëse dhe radikale gjatë mbledhjes së fundit të kabinetit izraelit të sigurisë, duke propozuar që Izraeli për çdo dron shpërthyes të lëshuar nga Hezbollah të përgjigjet me rrëzimin e dhjetë ndërtesave në kryeqytetin libanez, Bejrut.

Gjatë mbledhjes pesëorëshe të kabinetit të ngushtë të sigurisë të dielën në mbrëmje, ku u diskutua marrëveshja mes SHBA-së dhe Iranit, si dhe kërcënimi në rritje nga dronët kamikazë që kanë vrarë disa ushtarë të IDF-së në frontin libanez, pati një përplasje të ashpër verbale mes Smotrichit dhe kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Sipas mediave izraelite, Netanyahu insistoi në gjetjen e zgjidhjeve mbrojtëse dhe në disa raste ushtroi presion mbi ushtrinë izraelite (IDF) që të zhvillonte shpejt një përgjigje ndaj këtij problemi serioz të sigurisë.

Megjithatë, Smotrich e hodhi poshtë kategorikisht këtë qasje dhe paraqiti një propozim për shkatërrim masiv të infrastrukturës civile.

“Nuk mund të mbrohemi deri në vdekje. Duhet të rrëzojmë 10 ndërtesa në Dahieh (periferi e Bejrutit) si përgjigje ndaj çdo droni”, deklaroi Smotrich.

Netanyahu refuzoi propozimin e ministrit të tij të financave, duke paralajmëruar për absurditetin e një strategjie të tillë.

“Çfarë po propozon? Që sa herë të shfaqet një dron, ne të rrëzojmë 10 ndërtesa? Dhe kur të ketë dron në Gaza, të rrëzojmë 10 ndërtesa atje? Po nëse vjen nga Judeja dhe Samaria (Bregu Perëndimor), të bëjmë të njëjtën gjë? Po nëse droni vjen nga një klan kriminal, a do të rrëzojmë 10 ndërtesa në Ramle?”, citohet të ketë thënë Netanyahu.

Ministri i krahut të djathtë ekstrem nuk u tërhoq nga qëndrimi i tij.

“Pa asnjë dyshim, po. Luftërat fitohen me dekurajim dhe me vendosjen e kostos. Të mbrohesh deri në vdekje na solli deri më 6 tetor. Tregomë ku saktësisht dëshiron t’i shtrish këto rrjete mbrojtëse mbi qiellin e Izraelit”, iu përgjigj Smotrich.

Gjatë mbledhjes, gjeneral-koloneli Eyal Zamir informoi të pranishmit për vdekjen e rreshterit Nehoraya Leizer, i cili humbi jetën nga një sulm me dron në jug të Libanit.

Duke folur për goditjet e mundshme ndaj ndërtesave, Zamir la të kuptohet për një qasje më të ashpër ushtarake.

“Nuk mund të veprohet me pincë. Duhet të krijohet një ekuacion i ri, që përfshin edhe goditje ndaj ndërtesave në Bejrut dhe Tir për të arritur efektin e dekurajimit”, tha ai, duke lënë të kuptohet se edhe udhëheqja ushtarake po shqyrton masa më të ashpra kundër Libanit.

Kategoritë
BotaLajme