Kequshqyerja kërcënon jetën e një 4-vjeçare në kampin e refugjatëve në Gaza

Gjendja e saj po përkeqësohet çdo ditë mes mungesës së rëndë të ushqimit dhe barnave, të shkaktuar nga bllokada izraelite ndaj enklavës palestineze

Vogëlushja palestinez Negm al-Aydi (4-vjeçe) që jeton në një tendë në kampin e refugjatëve Nuseirat në Gazën qendrore, ka rënë në vetëm 10 kilogramë për shkak të kequshqyerjes, transmeton Anadolu.

Gjendja e saj po përkeqësohet çdo ditë mes mungesës së rëndë të ushqimit dhe barnave, të shkaktuar nga bllokada izraelite ndaj enklavës palestineze. Programi Botëror i Ushqimit thotë se një në tre palestinezë në Gaza mbeten pa ushqim për ditë të tëra dhe njerëzit po vdesin çdo ditë nga uria.

Hedhja e ndihmave nga ajri paraqet rrezik për sigurinë, pasi disa paketa bien në det ose në zona të ndaluara, ndërsa të tjera shkaktojnë lëndime kur parashutat dështojnë.

Sipas Zyrës së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, forcat izraelite do të përgatiten për të pushtuar qytetin e Gazës. Pamjet e fundit satelitore tregojnë se ushtria izraelite po grumbullon trupa dhe pajisje pranë kufirit të Gazës, ndoshta në përgatitje për një ofensivë të re tokësore në territorin palestinez.

Operacionet tokësore izraelite në Gaza kanë qenë në zhvillim që nga tetori i vitit 2023, me ndërprerje gjatë dy armëpushimeve.

Kabineti izraelit i Sigurisë miratoi 5 pikat kryesore për përfundimin e luftës, çmontimin e grupit palestinez Hamas, sigurimin e kthimit të të gjitha pengjeve, të gjallë dhe të vdekur, çmilitarizimin e Rripit të Gazës, sigurimin e kontrollit të sigurisë izraelite mbi zonën dhe krijimin e një qeverie civile që nuk udhëhiqet nga Hamasi ose Autoriteti Palestinez.

Ky operacion i ri i Izraelit, që pritet të zgjasë të paktën gjashtë muaj, po ndërmerret pavarësisht zemërimit në rritje ndaj luftës shkatërrimtare në Gaza, ku të paktën 61.200 palestinezë janë vrarë që nga tetori i vitit 2023. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën, e cila po përballet me uri masive.

Në nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare (GJNP) lëshoi urdhërarreste ndaj Netanyahut dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për luftën në enklavën palestineze.

Kategoritë
BotaLajme