KEDS’i ‘e tepron’ me kërkesa: Deshi 50% shtrenjtim të rrymës, krejt tjetër çka propozuan Qeveria e Presidenca

Nga 1 prilli, qytetarët e Kosovës do të paguajnë me shumë gjasë për 14% më shumë energjinë elektrike të cilën ata e shfrytëzojnë.

Kjo pasi që rekomandimet e ZRRE-së, sygjerojnë që kjo rritje të jetë në fuqi nga muaji i ardhshëm, në përputhshmëri me situatën aktuale dhe vlerësimet e bëra të situatës aktuale të çmimeve.

Por ndryshe po mendon Qeveria e Kosovës. Në komentet e dërguara në ZRRE, Qeveria thotë se barrën e tarifave të shtrenjtuara duhet ta marrin bizneset, nisur edhe nga fakti se vitin e kaluar ka pasur rritje për amvisëritë.

Nga Presidenca ndërkaq, siç raportoi dje lajmi.net, kanë dalë krejtësisht kundër që të shtrenjtohen tarifat.

Në komentet e dërguara në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, Presidenca ka thënë se një vendim i tillë mund të ketë ndikim eventual socioekonomik në Kosovë  dhe mund të godas keq grupe të ndjeshme të shoqërisë, shkruan lajmi.net.

“Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin për ndikimin eventual socioekonomik të një vendimi të tillë dhe për barrën që një vendim i tillë do t’i shkaktonte qytetarëve e në veçanti grupeve më të cenueshme të shoqërisë, si pensionistët, nënat vetushqyese, mbajtësit e skemave sociale dhe njerëzit dhe familjet e margjinalizuara. Një situatë e tillë bëhet ende më shqetësuese për faktin se në bazë të raportit të ASK-së për vitin 2022, krahasuar me vitin 2021, norma vjetore e inflacionit në dhjetor ishte 12.1 për qind. Gjersa, inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 0.9%, gjë që ka ndikuar në rritjen e kostos së përgjithshme të jetesës dhe varfërim të shportës së konsumatorit”, thotë Presidenca.

Presidenca tutje thotë në komentetet e saja se duhet të vlerësohen mundësitë për shmangie të rritjes së tarifave, në atë formë që të inkurajohet komunikimi ndërinstitucional dhe të merret për bazë edhe pako e Mbështetjes për Energji e BE-së përmes së cilës janë siguruar 75 milionë euro.

Këto komente të Presidencës e Qeverisë janë krejtësisht në një tjetër vijë me atë që ka kërkuar KEDS-i. Ky i fundit, siç njoftonte ZRRE, kishte propozuar rritje për rreth 50 për qind të çmimit të rrymës.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi