Propagandisti rus Vladimir Solovjov deklaroi se pushtimi rus i Ukrainës mund të mos jetë edhe ndërhyrja e fundit e tillë ushtarake dhe sugjeroi se Kremlini mund t’i kthejë sytë nga Kaukazi.
Duke folur drejtpërdrejt në televizion, Solovjov pohoi se baza të NATO-s mund të shfaqen në Detin Kaspik, në kufirin mes Azerbajxhanit dhe Rusisë.
“Duhet të kuptojmë se ajo që po ndodh në Kaukazin e Jugut është një problem i madh,” tha ai.
Ai shtoi se kjo është e rrezikshme për Rusinë.
“Është aq e rrezikshme sa, po ta shohim nga këndvështrimi gjeopolitik, mund të sjellë pasoja kaq serioze saqë ndoshta Ukraina nuk do të jetë ‘operacioni i fundit ushtarak special’ i gjeneratës sonë,” u shpreh ai.
Propozimi për veprim të mundshëm ushtarak kundër Azerbajxhanit vjen në mes të përkeqësimit të marrëdhënieve mes vendit të Kaukazit të Jugut dhe fqinjit të tij verior.
Politikanët rusë reaguan veçanërisht negativisht ndaj faktit që Armenia dhe Azerbajxhani nënshkruan një marrëveshje paqeje në Uashington, në Shtëpinë e Bardhë, me ndërmjetësimin e presidentit amerikan Donald Trump.
Pavarësisht lidhjeve të mëhershme, si Armenia ashtu edhe Azerbajxhani janë distancuar nga Federata Ruse, gjë që vihet re veçanërisht në planin ekonomik dhe ushtarako-politik.