Katër të vrarë nga sulmet ajrore izraelite në Liban

– Ministria e Shëndetësisë e Libanit njoftoi se një seri sulmesh ajrore izraelite, të kryera të enjten në mbrëmje, shkaktuan vdekjen e katër personave

Ministria e Shëndetësisë e Libanit njoftoi se një seri sulmesh ajrore izraelite, të kryera të enjten në mbrëmje, shkaktuan vdekjen e katër personave, transmeton Anadolu.

Avionët luftarakë izraelitë nisën një seri sulmesh të rënda ajrore të enjten në mbrëmje në Libanin jugor dhe lindor, duke goditur qytete dhe zona malore në Luginën Beqaa dhe zonat jugore, në një përshkallëzim të madh, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve libaneze NNA.

Izraeli nisi operacione ushtarake në Liban më 8 tetor 2023, të cilat u përshkallëzuan në një luftë në shkallë të plotë deri në shtator 2024, duke vrarë më shumë se 4.000 njerëz dhe duke plagosur rreth 17.000 të tjerë.

Një armëpushim u arrit në nëntor, por forcat izraelite kanë kryer sulme pothuajse të përditshme në Libanin jugor, duke pretenduar se kanë në shënjestër aktivitetet e grupit libanez Hezbollah.

Sipas armëpushimit, Izraeli duhej të tërhiqej plotësisht nga Libani jugor deri më 26 janar, por afati u zgjat deri më 18 shkurt pasi Tel Avivi refuzoi të zbatonte marrëveshjen. Izraeli ende mban një prani ushtarake në pesë pika kufitare.

Kategoritë
BotaLajme