Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Jashtme e Katarit thuhet se presioni në fjalë ka përshkallëzuar tensionet në Kudsin Lindor të pushtuar
Katari dënoi bastisjen në Xhaminë Al-Aksa nga ministri i Sigurisë Kombëtare i ekstremit të djathtë të Izraelit, Itamar Ben-Gvir, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Jashtme e Katarit thuhet se presioni në fjalë ka përshkallëzuar tensionet në Kudsin Lindor të pushtuar.
Duke theksuar se dënohet bastisja e ministrit të ekstremit të djathtë Ben-Gvir në Xhaminë Al-Aksa, më tej thuhet se kjo bastisje është “shkelje e qartë e ligjit ndërkombëtar dhe vendeve të shenjta në Kudsin Lindor”.
Në deklaratë thuhet se sulmet e përsëritura kundër statusit fetar dhe historik të Mesxhid al-Aksa janë të drejtuara jo vetëm kundër palestinezëve, por edhe kundër miliona muslimanëve në mbarë botën.
Ministri izraelit Ben-Gvir dhe qindra kolonë fanatikë hebrenj bastisën Xhaminë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar mëngjesin e sotëm, nën mbikëqyrjen e policisë izraelite.
– Shkelje e sovranitetit të Administratës së Vakëfeve Islame të Kudsit
Sipas marrëveshjes së paqes të nënshkruar midis Izraelit dhe Jordanisë më 26 tetor 1994, Mesxhid Al-Aksa është nën kujdesin e Administratës së Vakëfeve Islame të Kudsit, e cila është e lidhur me Ministrinë jordaneze të Vakëfeve, Çështjeve Islame dhe Shenjtërisë.
Megjithatë, që nga viti 2003, hebrenjtë të shoqëruar nga policia hyjnë në faltoren e shenjtë pa lejen e Administratës me vendim të njëanshëm të Izraelit. Duke i përshkruar këto hyrje si bastisje, Administrata e Vakëfeve Islame të Kudsit thekson se shkelet sovraniteti i muslimanëve.
