Kompania kombëtare ajrore ruse Aeroflot u detyrua të anullojë dhjetëra fluturime të hënën pas një sulmi shkatërrues kibernetik, për të cilin mori përgjegjësinë një grup misterioz pro‑ukrainas hakerash, që një deputet rus e quajti “thirrje për zgjim” për Moskën.
Kremlini deklaroi se situata është shqetësuese, ndërsa Prokuroria e Përgjithshme konfirmoi se ndërprerjet kanë ardhur për shkak të një sulmi hakerash dhe ka hapur një hetim penal. Deputeti Anton Gorelkin tha se Rusia është nën një sulm digjital.
“Duhet të mos harrojmë se lufta kundër vendit tonë po zhvillohet në të gjitha frontet, përfshirë edhe atë digjital. Nuk përjashtoj mundësinë që ‘haktivistët’ që morën përgjegjësinë të jenë në shërbim të shteteve armike,” u shpreh Gorelkin në një deklaratë.
Aeroflot nuk specifikoi se sa kohë do të zgjaten problemet, por ekranet e afisheve në aeroportin Sheremetyevo të Moskës u ndizën me njoftime anulimesh – pikërisht në kohën kur shumë rusë nisnin pushimet vjetore.
Në një deklaratë të atribuara grupit “Silent Crow” thuhet se ata kreu operacionin bashkë me grupin bjellorus “Cyberpartisans BY” dhe se sulmi lidhet me luftën në Ukrainë.
“Lavdi Ukrainës! Rroftë Bjellorusia!” thuhet në atë deklaratë.
Autoritetet ukrainase nuk janë shprehur menjëherë.
Grupi “Silent Crow” më parë ka marrë përgjegjësinë për sulme në bazën e të dhënave të pasurive të paluajtshme ruse, kompaninë shtetërore të telekomunikacioneve, një shoqëri të madhe sigurimesh, sektorin IT të qeverisë së Moskës dhe zyrën ruse të prodhuesit korean të makinave KIA. Disa nga këto sulme çuan në rrjedhje të mëdha të të dhënave.
“Të dhënat që dalin në publik janë mjaft shqetësuese. Kërcënimi nga hakerat përbën një rrezik serioz për çdo kompani të madhe që ofron shërbime për popullsinë,” tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov.
Aeroflot, Ministria e Transportit dhe rregullatori rus i aviacionit civil nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.
Kompania njoftoi se kishte anuluar më shumë se 40 fluturime – kryesisht brenda Rusisë, por edhe drejt kryeqytetit bjellorus Minsk dhe kryeqytetit armen Jerevan – pas një “dështimi të sistemeve informatike”. Të paktën 10 fluturime të tjera u vonuan.
“Ekspertët po punojnë aktualisht për të minimizuar ndikimin në orarin e fluturimeve dhe për të rikthyer funksionimin normal të shërbimeve,” tha Aeroflot.
Deklarata e grupit “Silent Crow” pretendon se ky sulm kibernetik është rezultat i një operacioni njëvjeçar që ka infiltruar thellë rrjetin e Aeroflotit, ka shkatërruar 7,000 servera dhe ka marrë kontrollin e kompjuterave personale të punonjësve, përfshirë menaxhmentin.
Grupi publikoi pamje ekrani të direktorive të brendshme të Aeroflotit, dhe kërcënoi se së shpejti do të nisë publikuar “të dhënat personale të çdo rusi që ka fluturuar ndonjëherë me Aeroflot”.
Frika dhe zemërimi i pasagjerëve
Që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë në shkurt 2022, pasagjerët në Rusi janë mësuar me ndërprerje në linjat ajrore, por ato të zakonshmet shkaktoheshin kryesisht nga mbyllja e përkohshme e aeroporteve gjatë sulmeve me dronë.
Pasagjerët e zemëruar shprehën frustrimin e tyre në rrjetin social VK, duke u ankuar për mungesë informacioni.
Ashi shkroi: “Qëndroj në aeroportin e Volgogradit që nga ora 3:30!!!!! Fluturimi është shtyrë tashmë tre herë!!!!!! Tani është vendosur në 14:50, ndërsa duhej të nisej në 5:00!!!”
Pasagjerja tjetër, Julia Pahota, postoi: “Qendra e thirrjeve është e paarritshme, faqja e internetit e paarritshme, aplikacioni i paarritshëm. Si të kthej biletën apo ta rishkruaj për fluturimin e ardhshëm, çfarë propozon Aeroflot?”
Aeroflot tha se pasagjerët mund të marrin rimbursim ose të rishkruajnë biletën sapo sistemi të rikuperohet, dhe se po përpiqet të ridrejtojë disa prej pasagjerëve tek linja të tjera ajrore.
Pavarësisht sanksioneve perëndimore që kanë kufizuar në mënyrë drastike udhëtimet dhe destinacionet, Aeroflot mbetet ndër 20 linjat më të mëdha ajrore në botë për numrin e pasagjerëve – 55.3 milionë vitin e kaluar, sipas të dhënave zyrtare.