Aviacioni Mbretëror Britanik ka ngritur avionë patrullues dhe i është bashkuar NATO-s në një operacion të madh kërkimi për një nëndetëse ruse që dyshohet se po kërcënon aeroplanmbajtësen amerikane USS Gerald R. Ford pranë brigjeve të Norvegjisë.
Burime të mbrojtjes e kanë quajtur këtë zhvillim një “rritje shumë të pazakontë” të aktivitetit, duke konfirmuar se aleatët e NATO-s kanë dislokuar të paktën 27 avionë të specializuar për gjuetinë e nëndetëseve që nga e diela, në një përpjekje urgjente për të gjurmuar anijen nënujore.
Operacioni, që sipas burimeve nuk është ushtrim, po zhvillohet në kohën kur USS Gerald R. Ford – aeroplanmbajtësja më moderne dhe më e kushtueshme në botë, me vlerë rreth 11 miliardë funte – po kryen stërvitje me marinën norvegjeze në ujërat arktike.
Ngritja e avionëve britanikë, amerikanë dhe norvegjezë
Britania ka dërguar tetë avionë patrullues P-8A Poseidon nga baza RAF Lossiemouth në Skoci, ndërsa Norvegjia ka nisur tre fluturime nga baza ajrore Evenes pranë Narvikut. Edhe marina amerikane ka ngritur avionë patrullues nga Islanda dhe ka dërguar përforcime nga Sicilia.
Avionët Poseidon janë të pajisur me sensorë kundër-nëndetësorë, torpedo dhe sisteme sonarësh që u mundësojnë të zbulojnë lëvizjet nënujore të nëndetëseve.
Faqet e gjurmimit të fluturimeve kanë treguar se një Poseidon britanik ka patrulluar për disa orë mbi Detin Norvegjez, rreth 60 milje perëndimor nga ishujt Lofoten. Shumë avionë kanë fikur transponderët gjatë misionit për të shmangur zbulimin.
Në ujëra ndodhet edhe fregata britanike HMS Somerset, e specializuar për luftë kundër-nëndetësore, së bashku me disa anije të tjera të NATO-s.
Ministria britanike: “Operacioni është në vijim”
Ministria britanike e Mbrojtjes ka konfirmuar operacionin, por ka refuzuar të japë hollësi operative.
“Avionët tanë P-8 Poseidon kryejnë vazhdimisht operacione për mbrojtjen e interesave kombëtare dhe sigurinë e Mbretërisë së Bashkuar dhe aleatëve tanë”, tha një zëdhënës i ministrisë.
Ekspertët: NATO po demonstron forcën
Ish-komandanti i nëndetëseve britanike, Ryan Ramsay, tha se ky është një mesazh i qartë i NATO-s:
“Kjo është një shfaqje force për të treguar se kemi kontroll. Ose e kanë zbuluar tashmë nëndetësen, ose ende jo dhe po përpiqen ta kapin.”
Edhe ish-komandanti Tom Sharpe shtoi: “Duket sikur e kanë lokalizuar nëndetësen ruse dhe po e mbajnë nën presion. Mesazhi është i qartë: ‘Ju shohim’.”
Konteksti strategjik
Incidenti vjen mes tensioneve të larta mes NATO-s dhe Moskës pas pushtimit rus të Ukrainës dhe rritjes së aktivitetit ushtarak në Arktik.
Zyrtarët perëndimorë kanë paralajmëruar disa herë se nëndetëset ruse mund të kërcënojnë infrastrukturën kritike nënujore, si kabllot transatlantike të të dhënave dhe gazsjellësit.
Deti Norvegjez është pjesë e GIUK Gap (Grenlandë–Islandë–Mbretëri e Bashkuar), një korridor strategjik që nga Lufta e Ftohtë është konsideruar linjë mbrojtjeje kyçe e NATO-s për të parandaluar depërtimin e padiktuar të nëndetëseve ruse në Atlantikun e Veriut.
USS Gerald R. Ford – “zemra” e flotës amerikane
Aeroplanmbajtësja USS Gerald R. Ford, në shërbim që nga viti 2017, është krenaria e marinës amerikane. Ajo mund të mbajë mbi 75 avionë luftarakë, përfshirë F/A-18, si dhe sisteme të avancuara mbikëqyrjeje, duke shërbyer si një bazë ajrore lundruese.
Ekspertët theksojnë se humbja e saj – edhe përkohësisht – do të ishte një goditje e madhe për NATO-n dhe fitore propagandistike për Kremlinin.