Kanë nisur sulme të ashpra izraelite në Gaza: Goditur zona pranë spitalit, ka të vrarë

Ushtria izraelite ka sulmuar disa lokacione në të gjithë qytetin e Gazës pas urdhrit të dhënë nga kryeministri Benjamin Netanyahu. Një raketë ka rënë pas spitalit al-Shifa, pranë një prej ndërtesave kryesore që ishte rinovuar dhe rihapur kohët e fundit.

Sulmi ka shkaktuar kaos dhe panik mes pacientëve dhe personelit mjekësor brenda spitalit. Dëshmitarët e kanë përshkruar sulmin si “masiv dhe shkatërrues”.

Në 30 minutat e fundit, mbi hapësirën ajrore të Gazës është regjistruar aktivitet i madh dronësh. Një raketë tjetër ka goditur kampin e refugjatëve Shati, në perëndim të qytetit të Gazës, ndërsa artileria ka qëlluar drejt rajoneve lindore të Deir el-Balahut në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.

Sipas organizatave palestineze, të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe katër të tjerë janë plagosur në sulmet ajrore.

Zëdhënësi i Mbrojtjes Civile Palestinez, Mahmoud Basal, deklaroi“Izraeli po bombardon Gazën me të paktën tre sulme ajrore, pavarësisht marrëveshjes për armëpushim.”

Urdhri për sulm nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu erdhi pasi një zyrtar izraelit deklaroi se Hamasi kishte qëlluar ndaj forcave të tyre në jug të Gazës dhe pas dorëzimit nga ana e Hamasit të disa pjesëve të trupave që Izraeli i identifikoi si mbetje të pengjeve të tij.

Suhail al-Hindi, anëtar i Byrosë Politike të Hamasit në Gaza, tha se grupi po përballet me vështirësi të mëdha në gjetjen e trupave të pengjeve izraelite dhe përsëriti kërkesën për pajisje të rënda që do ta lehtësonin procesin.

“Izraeli duhet ta kuptojë se ne jemi të përkushtuar ndaj marrëveshjes dhe duhet të ndalojë akuzat e rreme për shkelje,” theksoi ai.

Ndërkohë, ministri izraelit i mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi se luftëtarët e Hamasit kishin sulmuar trupat izraelite pavarësisht armëpushimit në fuqi dhe paralajmëroi se grupi do të bëhej objektiv i sulmeve.

“Hamas do të paguajë një çmim të lartë për sulmin ndaj ushtarëve në Gaza dhe për shkeljen e marrëveshjes për kthimin e trupave të pengjeve,” tha Katz në një deklaratë zyrtare, duke shtuar se ky veprim përbën “kalimin e një vije të kuqe të ndezur, ndaj së cilës ushtria do të përgjigjet me forcë të madhe.”

Që nga nisja e armëpushimit me Izraelin më 10 tetor, të paktën 94 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite.

Kategoritë
BotaLajme