Kancelari gjerman: Izraeli duhet ta përmirësojë shpejt situatën në Gaza

Kancelari gjerman Friedrich Merz konfirmoi se 2 avionë gjermanë mund të fillojnë të lëshojnë ndihma humanitare nga Jordania në Gaza.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz i bëri thirrje Izraelit të përmirësojë urgjentisht situatën humanitare në Rripin e Gazës, duke paralajmëruar se hapat fillestarë janë të mirëseardhur, por të pamjaftueshëm, transmeton Anadolu.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për media në Berlin me Mbretin Abdullah të Jordanisë, Merz konfirmoi se dy avionë gjermanë mund të fillojnë të lëshojnë ndihmë humanitare nga Jordania në Gaza që nga dita e mërkurë.

“Dërgimi i ndihmës nga ajri sinjalizon qartë se jemi të pranishëm dhe po ndihmojmë në mënyrë aktive”, tha Merz duke nënvizuar angazhimin e Gjermanisë për të lehtësuar vuajtjet e civilëve në Rripin e Gazës.

Ai theksoi se është i nevojshëm përparim i mëtejshëm për të parandaluar përkeqësimin e krizës. Merz lëshoi një paralajmërim të fortë kundër çdo lëvizjeje të mëtejshme drejt aneksimit të Bregut Perëndimor të pushtuar.

“Nuk mund të ketë hapa ose veprime të mëtejshme drejt aneksimit”, tha ai duke iu referuar shqetësimeve në rritje ndërkombëtare mbi zgjerimin e vendbanimeve të Izraelit. Merz tha se njohja e shtetit palestinez duhet të shihet si një nga hapat e fundit brenda kornizës së një zgjidhjeje të negociuar me dy shtete.

Sipas tij, Gjermania mbetet e përkushtuar fuqimisht ndaj këtij qëllimi dhe po punon me partnerët ndërkombëtarë për të ringjallur procesin e paqes. Merz tha se Berlini, Parisi dhe Londra po shqyrtojnë dërgimin e ministrave të tyre të jashtëm në Izrael në një iniciativë të përbashkët diplomatike që synon të inkurajojë deeskalimin dhe të çojë përpara një zgjidhje politike të konfliktit.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha se të paktën 147 palestinezë, përfshirë 88 fëmijë kanë vdekur nga uria që nga tetori 2023 kur Izraeli filloi ofensivën e tij të pamëshirshme.

Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite ka vrarë më shumë se 60 mijë palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, në Rripin e Gazës që nga tetori 2023. Bombardimet e pamëshirshme kanë shkatërruar rripin dhe kanë çuar në një krizë të rëndë urie.

Grupet izraelite të të drejtave B’Tselem dhe Mjekët për të Drejtat e Njeriut-Izrael akuzuan Izraelin për kryerjen e gjenocidit në Gaza, duke përmendur shkatërrimin sistematik të shoqërisë palestineze.

Kategoritë
BotaLajme