Kallas në Beograd: Të lihet prapa e kaluara, normalizim me Kosovën, do t’i ftoj palët në Bruksel sa më parë

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, në konferencën për media në Beograd u ka bërë thirrje përfaqësuesve të Kosovës dhe të Serbisë që të kthehen “sa më shpejt” në Bruksel për hapat përpara në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Duke folur për takimet që ka pasë me krerët e Serbisë, Kallas se gjatë këtyre bisedimeve janë përmendur edhe çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë kufitare, marrëdhëniet me fqinjët, normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

“Kjo nuk ka të bëjë vetëm me përmirësimin e lidhjeve, por është thelbësore për të ardhmen e Serbisë. Është koha për të kapërcyer të kaluarën dhe për të punuar për një të ardhme të përbashkët. Planifikoj t” thërras përfaqësuesit e Beogradit dhe Prishtinës që të vijnë sa më shpejt në Bruksel dhe të diskutojnë hapat konkretë përpara”, tha Kallas atje.

Kryediplomatja e BE-së foli edhe për zgjerimin e bllokut drejt Ballkanit Perëndimor dhe tha se momentimi politik për këtë është tani.

“Unë jam thellësisht e përkushtuar për të ndihmuar të gjithë Ballkanin Perëndimor që të kapë këtë momentum aktual të zgjerimit. Po, ky proces ka vazhduar për një kohë të gjatë, por ka gjithmonë momentum politik dhe është pikërisht këtu. Një Europë e bashkuar është një vizion për të cilin ne të gjithë duhet të punojmë”, tha ajo.

Gjithashtu, Kallas tha se në bisedat e saj me zyrtarët serbë ka theksuar se nuk ka rrugë të shkurtra në rrugën drejt BE-së dhe se është e nevojshme të zbatohen reforma, në radhë të parë ato që kanë të bëjnë me liritë e mediave, luftimin e korrupsionit, por edhe reformën zgjedhore.

“Nga diskutimet e mia me lidershipin politik të Serbisë, është e qartë se anëtarësimi në Bashkimin Europian mbetet një qëllim strategjik. Por dua të theksoj se ne gjithashtu duhet të shohim veprime që do t’i mbështesin këto fjalë. Reformat janë mënyra se si Serbia do të përparojë në rrugën e saj europiane. Nuk ka rrugë të shkurtra për anëtarësimin. Duhet të bëhet përparim i vërtetë. Dhe hapat e ardhshëm janë shumë të qartë. Ato përfshijnë liritë e medias, reformat reale, jo vetëm reformat korruptive”, tha Kallas.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi