Anëtarët austriakë të ekipit për asgjësimin e municioneve shpërthyese (EOD) brenda misionit të KFOR-it të NATO-s shpërthyen me sukses të premten, një bombë të Luftës së Dytë Botërore në Kaçanik, në juglindje të Kosovës.
Pajisja, me peshë 250 kilogramë, u gjet nga banorët vendas më 26 prill pranë lumit, njoftoi KFOR-i.
Përgatitjet dhe zbatimi i këtij aktiviteti u kryen në përputhje me standardet ndërkombëtare, me qëllim sigurimin e sigurisë së komunitetit lokal, nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të Komandantit të KFOR-it, Enrico Barduani.
Anëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës monitoruan aktivitetin si pjesë e trajnimit, dhe Policia e Kosovës siguroi zonën.
Ekipet e çminimit përbëhen nga personel shumë i specializuar, të cilët janë të trajnuar mirë dhe të pajisur për t’i trajtuar në mënyrë të sigurt municionet e pashpërthyera dhe janë gjithmonë të gatshëm t’u përgjigjen kërkesave për ndihmë në atë zonë, shtohet në njoftim.
KFOR-i deklaron se vazhdon të kontribuojë për një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij afatgjatë të OKB-së – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, si dhe është në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).