Jeton dhe Nexhat Vllasaliu dënohen me burgim të përjetshëm për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi

Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli fajtorë Jeton dhe Nexhat Vllasaliut, duke i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi në vitin 2021, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore.

Aktgjykimi u shpall të mërkurën nga kryetarja e trupit gjykues, Medie Bytyqi.

Ai tha se dy të akuzuarit janë fajtorë për “Vrasje të rëndë” dhe “Dëmtim të varreve apo kufomave”.

Gjykatësja Bytyqi tha se pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, trupi gjykues gjatë këshillimit ka vlerësuar se nuk nevojitet që përsëri të hapet shqyrtimi gjyqësor për plotësimin e procedurës apo për sqarimin e ndonjë çështjeje konkrete.

Dy të akuzuarve iu vazhdohet masa e paraburgimit deri në potfuqishmërinë e aktgjykimit.

Kundër këtij aktgjykimi, lejohet ankesa në Gjykatën e Apelit në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit.

Të pranishëm gjatë shpalljes së aktgjykimit nuk ishin dy të akuzuarit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ngarkohen me veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1.6 dhe 1.4 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Në aktakuzë thuhet se prej periudhës 9 janar 2021 deri më 8 prill 2021, të pandehurit Vllasaliu në bashkëkryerjeje pas marrëveshjes paraprake, kishin filluar planifikimin për të privuar nga jeta të dëmtuarin Bedri Rexhepi, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore.

Të njëjtit, po ashtu ngarkohen me veprën penale “Dëmtim i varreve apo kufomave”, nga neni 413, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Kategoritë
LajmeVendi