Deputeti i PDK-së, Jakup Nura mendon që partia e tij do ta mbështesë kandidatin Fatmir Limaj për kryetar të Kuvendit.
“Mendoj që Partia Demokratike do të mbështesë Fatmir Limaj, por Qeverinë Kurti assesi”, tha Nura.
Sa i përket ngjarjeve të fundit për konstituimin e Kuvendit, ky i fundit thotë se veprimet e qeverisë së tanishme janë të padrejta dhe të paligjshme.
Ndërsa, për një koalicion të mundshëm mes LVV dhe NISMËS, deputeti thekson se në këtë drejtim të dy partitë mundohen të gjejnë një modul, ngase sipas tij asnjërës palë nuk iu konvenon të shkojnë në zgjedhje.
Ndërkohë, të mërkurën Gjykata Speciale ka refuzuar mocionin e paraqitur nga mbrojtja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, i cili synonte rrëzimin e disa pikave të aktakuzës ndaj tyre.
Për këtë, Nura ka deklaruar se vendimi i djeshëm nga Gjykata Speciale është i dhimbshëm për ish-krerët e shtetit të cilët sipas tij po akuzohen padrejtësisht në Hagë, duke thënë se është vendim i dëmshëm për UÇK-në dhe Kosovën.
“Vendimi i djeshëm është i dhimbshëm për ne bashkëluftëtarët, atyre që akuzohen padrejtësisht në Hagë. Është një vendim i papritur, i dëmshëm për luftën e UÇK-së dhe Kosovën. Unë besoju që verdikti i fundit do të jetë lirues për krerët e UÇK-së në Hagë”, deklaroi ai./teve1.info/