Izraeli zgjeron praninë ushtarake në jug të Sirisë me 10 baza, mijëra të zhvendosur

Ushtria izraelite ka ndërtuar 6 nga 10 bazat e saj në provincat Quneitra dhe Daraa gjatë 3 muajve të fundit, duke shkatërruar shtëpi dhe toka bujqësore

Ushtria izraelite ka krijuar gjashtë baza të reja në provincat jugore të Sirisë, Quneitra dhe Daraa, gjatë tre muajve të fundit, duke zgjeruar më tej praninë e saj në shkelje të Marrëveshjes së Shkëputjes së vitit 1974 pas rënies së regjimit të Bashar al-Assadit, raporton Anadolu.

Menjëherë pas rënies së regjimit, Izraeli intensifikoi sulmet ajrore në të gjithë Sirinë dhe zgjeroi operacionet e saj ushtarake përtej Lartësive të pushtuara të Golanit në zonën neutrale të demilitarizuar, një zonë e përcaktuar si neutrale sipas marrëveshjes së ndërmjetësuar pas Luftës së Yom Kippur të vitit 1973.

Bazat e ndërtuara nga Izraeli janë përgjithësisht të vendosura pranë kodrave strategjike dhe kryqëzimeve të rrugëve kryesore, veçanërisht ato në Quneitran rurale të projektuara për të monitoruar drejtpërdrejt fshatrat aty pranë.

Pas rënies së Asadit, Izraeli ndërtoi së pari baza brenda zonës tampon në fshatrat Jubata al-Khashab, Qurs al-Nafal dhe Al-Qahtaniyah në Quneitra dhe një jashtë zonës në fshatin Kwdana.

Në tre muajt e fundit, baza shtesë janë krijuar në fshatrat Al-Shajara, Maariya dhe Abidin të Daraas si dhe në Tulul al-Humr, Al-Hamidiyah të Quneitrës dhe pranë Digës Mantara, duke shënuar shkelje të vazhdueshme të marrëveshjes së shkëputjes.

Kjo e çon numrin e përgjithshëm të bazave ushtarake izraelite në jug të Sirisë në 10 që nga rënia e regjimit.

Baza në Tulul al-Humr është tani vendi më i afërt ushtarak izraelit me Damaskun, i vendosur vetëm 40 kilometra (25 milje) nga kryeqyteti sirian. Instalimi më i madh në zonë mbetet baza në Jubata al-Khashab.

– Mijëra të zhvendosur ndërsa shtëpitë janë shkatërruar

Prania ushtarake në rritje ka çuar në zhvendosje masive. Rreth 6.000 njerëz u larguan nga fshati Al-Hamidiyah pasi ushtria izraelite ngriti një bazë atje.

“Ushtarët izraelitë erdhën natën dhe shkatërruan 15 shtëpi”, tha për Anadolu, Mohammed Ali, një baba i tre fëmijëve që ishte zhvendosur nga Hamidiyah. “Ne u larguam vetëm me sendet tona personale”, tha ai.

“Ata erdhën natën që askush të mos i shihte krimet e tyre. Si banorë të Quneitrës, ne gjithmonë kemi qenë të shtypur – së pari nga Asadi, tani nga Izraeli. E tëra që mund të them tani është se dikur kisha një shtëpi këtu”, tha ai.

Ali tha se ushtarët izraelitë pretenduan se fshatarët do të ktheheshin brenda tre ditësh. “Kanë kaluar gjashtë muaj”, thotë ai.

– Tokë bujqësore, pyje të sekuestruara, të shkatërruara

Mohammed Abu Fahid tha se forcat izraelite dëmtuan afërsisht 2,000 dunam (rreth 500 hektarë) tokë bujqësore duke hapur llogore dhe duke pushtuar zona jashtë zonës së dakorduar tampon.

Kushtet e jetesës në Al-Hamidiyah janë të tmerrshme, tha Abu Fahid, duke shtuar: “Izraeli shpërndau ndihmë vetëm një ose dy herë. Njerëzit kanë nevojë. Ata hapën një klinikë të vogël, por trajtimi ofrohet nga Mjekët pa Kufij”.

“E tëra që duam është të jetojmë, të rrisim fëmijët tanë, të kultivojmë tokën tonë dhe të kemi qasje në ujë nga diga”, tha ai.

Në fshatin Khan Arnabeh, Basel Osman tha se forcat izraelite shkatërruan një pyll shekullor. “Ku është bashkësia ndërkombëtare?” pyeti Osman duke shtuar: “Jeta këtu është ndalur. Rindërtimi dhe turizmi janë paralizuar”.

– Frika nga siguria kufizon lëvizjen e vendasve

“Njerëzit nuk mund të largohen nga shtëpitë e tyre pas errësirës”, tha Ahmet Kivan nga Jubata al-Khashab. “Izraeli pushtoi tokën bujqësore, burimin kryesor të të ardhurave për vendasit”, shtoi ai.

Kushtet ekonomike të njerëzve po përkeqësohen. Askush nuk lëviz sepse nuk ndihet i sigurt”, u shpreh ai.

Kivan akuzoi bashkësinë ndërkombëtare për indiferencë. “Grupet e të drejtave të njeriut duhet të veprojnë”, tha ai.

Mohammed Meryud, gjithashtu nga Jubata al-Khashab, tha se forcat izraelite rregullisht vendosin pika kontrolli të përkohshme dhe kryejnë bastisje.

“Ata i pengojnë fermerët të shkojnë në fushat e tyre, shkatërrojnë pyjet, bastisin shtëpitë dhe ndalojnë të rinjtë”, tha ai.

“Prania e forcave izraelite e frikëson të gjithë rajonin. Hyrja e tyre duhet të ndalohet”, thekson Meryud.

Kategoritë
BotaLajme