Televizioni shtetëror iranian raportoi se Hossein Salami, komandanti i përgjithshëm i Korpusit të Gardës së Revolucionit Islamik (IRGC), është vrarë dhe se selia e njësisë së tij në Teheran është goditur.
Kujtojmë se forcat ushtarake izraelite filluan sulmet ndaj Iranit rreth orës tre të mëngjesit.
Salami është figura më e lartë ushtarake iraniane që është vrarë në sulmet izraelite. Gjithashtu, disa fëmijë janë vrarë në një sulm ndaj një lagjeje banimi në kryeqytet.
Salami iu bashkua për herë të parë Gardës Revolucionare në vitin 1980, gjatë shpërthimit të luftës Iran-Irak. Me ngjitjen nëpër gradat ushtarake, ai u bë i njohur për retorikën e tij të ashpër kundër SHBA-së dhe aleatëve të saj.
Që nga vitet 2000, ai është sanksionuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe Shtetet e Bashkuara për pjesëmarrjen e tij në programet bërthamore dhe ushtarake të Iranit.
Salami ishte në krye të Gardës Revolucionare në vitin 2024, kur Irani ndërmori sulmin e parë ushtarak të drejtpërdrejtë ndaj Izraelit, duke lëshuar mbi 300 dronë dhe raketa.
Ndërsa tensionet me Izraelin janë rritur ditët e fundit, Salami deklaroi të enjten se Irani është “plotësisht i përgatitur për çdo skenar, situatë dhe rrethanë”.
“Armiku mendon se mund të luftojë kundër Iranit në të njëjtën mënyrë siç lufton kundër palestinezëve të pambrojtur që janë nën rrethimin izraelit,” tha ai, dhe shtoi:“Kemi përvojë në luftë.”