Izraeli sulmon brutalisht Iranin, ndërsa Macron shprehet në mbështetje të Netanyahut dhe dënon programin bërthamor iranian

Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se Franca e ka dënuar vazhdimisht programin bërthamor të Iranit dhe konfirmon të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur.

Kjo deklaratë vjen pas sulmeve ajrore të ushtrisë izraelite mbi Iranin, ndërkohë që Teherani ka premtuar hakmarrje.

“Franca konfirmon të drejtën e Izraelit për të siguruar mbrojtjen dhe sigurinë e vet, në mënyrë që të shmanget cenimi i stabilitetit të gjithë rajonit. U bëj thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje maksimale dhe të de-përshkallëzojnë situatën,” tha Macron.

Ai shtoi se ka thirrur Këshillin për Mbrojtjen Kombëtare dhe Sigurinë, për të koordinuar përgjigjen e Francës.

“Do të ndërmerren të gjitha hapat e nevojshëm për të mbrojtur qytetarët tanë dhe misionet diplomatike e ushtarake në rajon. Do të zbatohen gjithashtu masa për **mbrojtjen e territorit kombëtar dhe të bashkëqytetarëve tanë. Franca është e gatshme të bashkëpunojë me të gjithë partnerët e saj për të promovuar deeskalimin në Lindjen e Afërt dhe të Mesme,” shkroi Macron në platformën X (ish-Twitter).

Macron shtoi gjithashtu se ka zhvilluar biseda telefonike me princin trashëgimtar të Arabisë Saudite, mbretin e Jordanisë, presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, emirin e Katarit, kancelarin gjerman, kryeministrin britanik dhe presidentin e Shteteve të Bashkuara.

“Paqja dhe siguria për të gjithë në rajon duhet të mbeten parimi ynë udhëheqës,” përfundoi ai.

Kategoritë
BotaLajme