Izraeli shënon rënie të ndjeshme në turizëm pas sulmeve në Gaza ​

Izraeli shënon rënie të ndjeshme në turizëm pas sulmeve në Gaza ​

89.700 turistë vizituan Izraelin në tetor, kundrejt 370.000 vizitorëve në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, thotë Byroja e Statistikave e Izraelit

Ndërsa Izraeli vazhdon sulmet e tij në Rripin e bllokuar të Gazës që nga 7 tetori, numri i turistëve që vizitojnë vendin është ulur ndjeshëm, duke çuar në një tkurrje në sektorin e turizmit, transmeton Anadolu.

Përveç sulmeve të forcave izraelite në Gaza, përleshjet me Hezbollahun në kufirin libanez që prej 8 tetorit dhe përshkallëzimi i dhunës në Bregun Perëndimor kanë bërë që turistët të qëndrojnë larg vendit.

Që nga tetori, kur Izraeli nisi sulmet e tij në Rripin e Gazës, sektori i turizmit ka shënuar një rënie të shpejtë.

Në ditët e para të sulmeve, pati probleme me fluturimet drejt dhe nga Izraeli, dhe midis 7 tetorit dhe 19 tetorit, më shumë se 40 për qind e fluturimeve u anuluan.

Në muajin tetor, aktiviteti turistik në vend u ul me 76 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

Sipas raportit mujor të Byrosë së Statistikave të Izraelit, rreth 89.700 turistë kanë vizituar Izraelin në tetor.

Shumica e këtyre vizitave janë zhvilluar në javën e parë të tetorit para fillimit të sulmeve. Në tetor të vitit të kaluar, Izraeli ishte vizituar nga 370.000 turistë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Turizmit, numri i turistëve që kanë vizituar Izraelin në nëntor të vitit të kaluar ishte rreth 370.000, ndërsa në të njëjtin muaj të këtij viti vetëm 38.000.

Ndërsa ministria synonte të thyente rekordin e fundit në numrin e turistëve këtë vit me rimëkëmbjen globale pas periudhës së pandemisë COVID-19, shifrat tani janë shumë larg këtij objektivi.

Kategoritë
BotaLajme
Reklamë: ABE Kosova