Ushtria izraelite njoftoi të shtunën se sulmet ajrore ndaj objekteve bërthamore iraniane, të kryera një ditë më parë, kanë rezultuar me vrasjen e nëntë shkencëtarëve dhe ekspertëve kryesorë iranianë të përfshirë në zhvillimin e programit të armëve bërthamore të regjimit iranian.
“Në kuadër të fillimit të operacionit ‘Ngjitja e Luanit’, forcat ajrore izraelite eliminuan nëntë shkencëtarë dhe ekspertë të nivelit të lartë që kishin një rol të rëndësishëm në avancimin e programit bërthamor të Iranit,” thuhet në deklaratën zyrtare të ushtrisë, ku përmenden edhe emrat e viktimave.
Izraeli e cilësoi këtë eliminim si një goditje të rëndësishme ndaj kapaciteteve të regjimit iranian për të siguruar armë të shkatërrimit në masë.
Sipas ushtrisë izraelite, sulmet janë kryer në bazë të informacioneve të sakta të mbledhura nga inteligjenca ushtarake.
Përveç objektivave bërthamore, Izraeli ka goditur edhe aeroporte iraniane – përfshirë aeroportin kryesor të Teheranit, Mehrabad, si dhe aeroportin në qytetin Tabriz në veriperëndim të vendit, të cilët janë sulmuar disa herë.