Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite, gjeneral-kolonel Eyal Zamir, ka përcaktuar përmasat e forcave tokësore që do të marrin pjesë në operacionin e ri në Gaza, raporton Walla të hënën.
Para se plani t’i paraqitej ministrit të mbrojtjes të martën, u vendos që një numër i madh grupesh luftarake të nivelit brigadë, që përbëhen nga të paktën 80.000 ushtarë, do të rrethojnë dhe pushtojnë Gazën.
“Kjo është një strategji e gjerë që do t’i kushtojë Hamasit një çmim të lartë, por gjithashtu bart rreziqe të mëdha për forcat e IDF-së,” tha një burim ushtarak i njohur me përgatitjet për operacionin e madh.
Burime ushtarake i thanë Wallës se IDF nuk do të presë me javë. Në ditët në vijim, forcat tokësore, të shoqëruara nga aviacioni, do të fillojnë të lëvizin drejt zonave të reja.
Ndërkohë, zyrtarë të lartë të IDF shprehën shqetësimin se pushtimi i zonave në zemër të Gazës dhe në vende të tjera mund të çojë që IDF të bëhet drejtpërdrejt përgjegjëse për shpërndarjen e ndihmave humanitare për popullsinë palestineze, derisa shumica e tyre të zhvendosen në jug të Rripit të Gazës.
Të dielën, Zamir vizitoi Rripin e Gazës, i shoqëruar nga komandanti i Komandës Jugore, Yaniv Asor, dhe shefi i Departamentit Operativ, Itzik Cohen, për të analizuar planin dhe për të marrë njohuri të mëtejshme mbi strategjinë dhe logjikën operacionale para marrjes së vendimeve.
“Shefi i shtabit dëshironte të ndiente terrenin, të shihte gjërat nga afër, të kuptonte rrugët e lëvizjes dhe metodat e luftës dhe të dëgjonte nga komandantët që udhëheqin betejat se si duket kjo me sytë e tyre para marrjes së vendimeve kyçe,” thanë burime ushtarake.
Në takimet e mbyllura, Zamir theksoi se forcat operative do të shkojnë në zona ku IDF nuk ka vepruar më parë.
Shumë shtete evropiane kanë paralajmëruar për një katastrofë humanitare shtesë që do të shkaktojë ofensiva e re izraelite, ndërsa opozita në Izrael akuzoi Netanyahun se po rrezikon jetët e robërve.