Sipas planit të miratuar nga bordi i planifikimit izraelit, 3.401 njësi të reja banimi të paligjshme do të ndërtohen midis Kuidsit Lindor të pushtuar dhe vendbanimit të paligjshëm të Ma’ale Adumim në Bregun Perëndimor
Izraeli ka dhënë miratimin përfundimtar për “Projektin E1”, i cili do të zgjerojë vendbanimet që u janë grabitur palestinezëve në Kudsin Lindor të pushtuar dhe që do të ndajë Bregun Perëndimor verior nga ai jugor, transmeton Anadolu.
Sipas gazetës “Yedioth Ahronot”, Bordi i Lartë i Planifikimit i Departamentit të Administratës Civile të Ministrisë së Mbrojtjes së Izraelit miratoi progresin e projektit, i cili u njoftua nga ministri i Financave i ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich, si “eliminues i idesë së shtetit palestinez”.
Sipas planit të miratuar nga bordi i planifikimit izraelit, 3.401 njësi të reja banimi të paligjshme do të ndërtohen midis Kudsit Lindor të pushtuar dhe vendbanimit të paligjshëm Ma’ale Adumim në Bregun Perëndimor.
– “Komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë menjëherë për të parandaluar “Projektin E1”
Aviv Tatarsky, një zyrtar i OJQ-së izraelite Ir Amim, është shprehur se “Vendimi i sotëm i miratimit tregon se sa me vendosmëri po e ndjek qeveria izraelite ‘planin strategjik’ të Ministrit Smotrich për të eliminuar mundësinë e një shteti palestinez dhe për të aneksuar në mënyrë efektive Bregun Perëndimor. Kjo është një zgjedhje e qëllimshme e regjimit të aparteidit”.
Më tej Tatarsky bëri thirrjen se “Nëse komuniteti ndërkombëtar është serioz për paqen dhe një shtet palestinez, ai duhet të veprojë shpejt për të parandaluar zhvendosjen e palestinezëve në zonën E1 dhe krijimin e një vendbanimi të ri në zemër të Bregut Perëndimor”.
Ministri i Financave i ekstremit të djathtë, Smotrich, i cili mbështet aneksimin e të gjithë Bregut Perëndimor të pushtuar, tha javën e kaluar se ata planifikonin të zgjerojnë dhe dyfishojnë madhësinë e vendbanimit Ma’ale Adumim duke filluar nga e mërkura, 20 gusht.
“Me projektin E1, ne planifikojmë të lidhim vendbanimin Ma’ale Adumim me qytetin e Kudsit dhe të ndërpresim transportin palestinez midis qyteteve të Ramallahut dhe Betlehemit”, theksoi Smotrich.
Duke i kërkuar kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, që të njoftonte zyrtarisht aneksimin e Bregut Perëndimor, Smotrich u shpreh: “Unë besoj se jemi afër një shpalljeje historike në çështjen e sovranitetit tonë në Bregun Perëndimor”.
– “Projekti E1” që do të zgjerojë pushtimin në Palestinë
“Projekti E1″u lançua për të lidhur me rrugën që të çon në Kudsin Perëndimor, vendbanimin Maale Adumim, të ndërtuar pranë lagjes palestineze Azeriye, e cila historikisht ka qenë pjesë e Kudsit Lindor, por e vendosur në anën e Bregut Perëndimor të Murit të Ndarjes (Muri i Turpit).
Në kuadër të kësaj, 12 mijë hektarë tokë palestineze u uzurpuan për të ndërtuar më shumë se 4.000 vendbanime dhe hotele të paligjshme në rajon.
Me Projektin “E1” synohet izolimi dhe shkëputja e lidhjes së Kudsit Lindor nga territoret palestineze në Bregun Perëndimor.