Prej gati dy vitesh, Izraeli e ka akuzuar Hamasin se vjedh ndihmat humanitare të siguruara nga Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare, duke e përdorur këtë pretendim si arsyetim për të kufizuar dërgimin e ushqimit në Rripin e Gazës. Megjithatë, sipas deklaratave të dy zyrtarëve të lartë ushtarakë izraelitë dhe dy izraelitëve të tjerë të përfshirë në këtë çështje, ushtria izraelite nuk ka gjetur kurrë prova që grupi palestinez ka vjedhur sistematikisht ndihma nga OKB-ja – organizata që gjatë shumicës së luftës ka qenë burimi kryesor i ndihmës urgjente për Gazën, raporton New York Times.
Sipas të njëjtëve zyrtarë, sistemi i shpërndarjes së ndihmës i OKB-së – i cili më parë ishte kritikuar dhe përçmuar nga Izraeli – ka rezultuar të jetë përgjithësisht efikas në shpërndarjen e ushqimit për popullatën e uritur të Gazës.
Në një kohë kur uria në Gazë ka arritur përmasa katastrofike, Izraeli përballet me presion gjithnjë e më të madh ndërkombëtar për mënyrën si po e menaxhon luftën dhe vuajtjet humanitare që po shkakton. Mjekët në terren raportojnë se një numër në rritje pacientësh vuajnë – dhe po vdesin – nga uria.
Më shumë se 100 organizata humanitare dhe të drejtave të njeriut javën e kaluar paralajmëruan për një “uritharje masive” dhe i bënë apel Izraelit që të heqë kufizimet për ndihmën humanitare. Bashkimi Evropian dhe të paktën 28 qeveri, përfshirë aleatë të Izraelit si Britania e Madhe, Franca dhe Kanadaja, kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët ku dënojnë qasjen e Izraelit ndaj ndihmave “pikë-pas-pike” për popullsinë prej 2 milionësh të Gazës.
Izraeli e ka refuzuar gjerësisht këtë kritikë.
Zëdhënësi i qeverisë, David Mencer, deklaroi këtë javë se “Izraeli nuk ka shkaktuar urinë”, duke fajësuar Hamasin dhe koordinimin e dobët të OKB-së për të gjitha mungesat e ushqimit.
Megjithatë, të shtunën mbrëma ushtria izraelite njoftoi se do të rifillojë dërgimin e ndihmave nga ajri dhe do të lejojë lëvizjen më të lehtë të konvojeve humanitare përmes “disa korridoreve humanitare” në Gazë. Detajet e funksionimit nuk janë bërë publike. Aktualisht, Izraeli lejon hyrjen e ndihmave përmes disa rrugëve, por organizatat humanitare thonë se koordinimi është shumë i dobët dhe kjo e bën ndihmën joefikase.
Vendet e huaja, në koordinim me forcat ajrore izraelite, vitin e kaluar hodhën ndihma nga ajri në Gazë, por kjo praktikë u ndërpre pasi disa dërgesa ranë mbi njerëz dhe ndërtesa, ndërsa të tjera përfunduan në det ose në territorin izraelit.
Njoftimi i ushtrisë erdhi një ditë pasi autoritetet izraelite pranuan sërish që të lejojnë vendet e huaja të hedhin ndihma nga ajri në Gazë. Zëdhënësi ushtarak, nënkolonel Nadav Shoshani, deklaroi të shtunën mbrëma se dërgesat e para do të kryheshin gjatë natës mbi veriun e Gazës, përpara se të ndërhyjnë forcat ajrore të huaja.
Zëvendësimi i sistemit të OKB-së me një operacion privat amerikan
Në maj, Izraeli nisi zëvendësimin e sistemit të ndihmës të OKB-së, i cili kishte qenë aktiv gjatë pjesës më të madhe të luftës 21-mujore, duke e zëvendësuar me një operacion privat amerikan, i siguruar nga kontraktorë të armatosur amerikanë në zona nën kontrollin e ushtrisë izraelite. Një pjesë e ndihmave ende hyn përmes OKB-së dhe organizatave të tjera.
USAID: Nuk ka vjedhje sistematike
Sistemi i ri është shfaqur më i rrezikshëm për palestinezët që përpiqen të marrin ushqim. Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë në Gazë, gati 1.100 persona janë vrarë me armë zjarri teksa përpiqeshin të merrnin ndihma – në shumë raste nga ushtarët izraelitë që kanë qëlluar drejt turmave të uritura. Zyrtarët izraelitë thonë se në disa raste është qëlluar në ajër sepse turmat ishin shumë afër ose paraqisnin rrezik për trupat e tyre.
Zyrtarët ushtarakë që folën për The New York Times deklaruan se sistemi origjinal i ndihmës nën OKB ishte relativisht i besueshëm dhe më pak i ekspozuar ndaj ndërhyrjeve nga Hamasi në krahasim me sistemet e tjera. Kjo për shkak se OKB-ja e menaxhonte vetë zinxhirin e furnizimit dhe shpërndante ndihmën direkt brenda Gazës.
Sipas të njëjtave burime, Hamasi ka vjedhur ndihma nga organizata të vogla që nuk ishin të pranishme në terren, por nuk ka prova që të kenë vjedhur në mënyrë të rregullt nga OKB-ja, e cila jepte pjesën më të madhe të ndihmës.
Një analizë e brendshme e qeverisë amerikane, e publikuar nga Reuters të premten, arriti në përfundim të ngjashëm – nuk ka dëshmi që Hamasi të ketë vjedhur ndihmat e financuara nga SHBA në mënyrë sistematike.
“Për muaj të tërë, ne dhe organizatat e tjera u tërhoqëm zvarrë në baltë për akuzat se Hamasi po na vjedh ndihmat,” tha Georgios Petropoulos, ish-zyrtar i OKB-së në Gazë, që ka koordinuar ndihmat me Izraelin për më shumë se një vit.
Zyrtarët ushtarakë dhe burimet e Times-it folën në kushte anonimiteti, pasi nuk ishin të autorizuar të flisnin në emër të ushtrisë apo qeverisë. Zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu nuk dha përgjigje për kërkesat për koment.
Në një deklaratë, ushtria izraelite tha se ekziston një “shfrytëzim i mirëdokumentuar i ndihmës humanitare nga Hamasi”, por nuk mohoi pretendimin se nuk ka prova për vjedhje të rregullta nga OKB-ja.
Muaj të tërë gënjeshtrash dhe injorimi
Qeveria dhe ushtria izraelite shpesh kanë qenë në konflikt për mënyrën e menaxhimit të luftës në Gazë. Në fillim të vitit të kaluar, komandantët më të lartë kërkuan një armëpushim me Hamasin për të liruar pengjet, por qeveria e Netanyahut vazhdoi ofensivën.
Në mars, pasi dështoi një armëpushim me Hamasin, Netanyahu deklaroi: “Hamasi aktualisht po merr nën kontroll të gjitha rezervat dhe mallrat që futen në Gazë” dhe njoftoi se Izraeli do të bllokonte të gjitha dërgesat.
Kjo bllokadë dhe problemet me sistemin e ri të ndihmës që filloi në maj kanë çuar në nivelin aktual të urisë.
Sipas të dhënave nga njësia ushtarake izraelite që mbikëqyr politikat në këtë zonë, OKB-ja ka qenë burimi kryesor i ndihmës gjatë pjesës më të madhe të luftës.
Aktualisht, shpërndarja e ndihmave është nën kontrollin e Gaza Humanitarian Foundation (G.H.F.), një kompani private amerikane e drejtuar nga një ish-agjent i CIA-s. Plani është të zëvendësojë OKB-në dhe organizatat e tjera.
Por ky sistem ka vetëm pak pika shpërndarjeje, në krahasim me qindra që kishte OKB-ja.
Pas përfundimeve të shërbimeve ushtarake se Hamasi nuk po vjedh ndihmat e OKB-së, zyrtarët ushtarakë u takuan në mars me këshilltarin për sigurinë kombëtare të Netanyahu-t për të diskutuar mbi planet e qeverisë. Ata shprehën shqetësimin që G.H.F. do të ishte i vetmi ofrues ndihmash dhe propozuan zgjerimin e rolit të OKB-së, veçanërisht për furnizimet mjekësore në zonat ku kompania private nuk do të operonte.
Qeveria fillimisht e hodhi poshtë këtë propozim, por më vonë, në maj, pas paralajmërimeve të ushtrisë për urinë në rritje, lejoj që OKB-ja dhe organizata të tjera të rifillonin aktivitetin.
Që nga 19 maji, kur Izraeli lejoi ndihmat pas një bllokade dy mujore, sipas ushtrisë izraelite, gjysma e ndihmës vjen nga OKB-ja dhe organizatat ndërkombëtare, dhe gjysma tjetër përmes G.H.F.
Shkatërrimi i ndihmave dhe përplasjet me OKB-në
Gjatë luftës, ushtria izraelite ka publikuar video dhe dokumente që pretendojnë se Hamasi shfrytëzon ndihmat humanitare. Thuhet se janë gjetur dokumente të brendshme të Hamasit që flasin për përqindjet e ndihmës që marrin fraksione të ndryshme të grupit, por nuk ka prova konkrete që ndihmat e OKB-së të jenë vjedhur.
Izraeli prej kohësh ka pasur marrëdhënie të tensionuara me OKB-në, dhe gjatë luftës këto u bënë hapur armiqësore. Izraeli e akuzon OKB-në për njëanshmëri dhe pretendon se ajo është infiltruar nga Hamasi, përfshirë edhe akuza se disa punonjës të OKB-së kanë marrë pjesë në sulmin e 7 tetorit 2023.
Izraeli gjithashtu akuzon OKB-në se nuk ka marrë ndihmat që qëndronin në kufi, ndërsa OKB-ja ankohet se Izraeli nuk siguron rrugë të sigurta dhe e akuzon për shkatërrimin e Gazës dhe bllokimin e ndihmave.
Javën e kaluar, Izraeli refuzoi të zgjasë vizën e Jonathan Whittall, një zyrtari të lartë të OKB-së për çështje humanitare në Gazë dhe Bregun Perëndimor të pushtuar. Ministri i Jashtëm Gideon Saar e akuzoi se ka shpërndarë “gënjeshtra për Izraelin.”
Petropoulos, ish-zyrtari i OKB-së, përshëndeti faktin që disa zyrtarë izraelitë pranuan efikasitetin e sistemit të ndihmës së OKB-së, por shtoi:
“Sikur OKB-ja të ishte marrë seriozisht disa muaj më parë, nuk do ta kishim humbur gjithë këtë kohë – dhe banorët e Gazës nuk do të vdisnin nga uria apo të qëlloheshin ndërsa përpiqeshin të ushqenin familjet e tyre.”