Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi të martën se për momentin nuk beson që sulmi izraelit mbi një spital në Gaza, ku u vranë të paktën 20 persona, ka qenë i drejtuar ndaj gazetarëve.
“Por ushtria izraelite dhe qeveria izraelite kanë premtuar të nisin një hetim gjithëpërfshirës për këtë incident. Dhe unë do të doja të pres rezultatet e këtij hetimi përpara se të jap një gjykim përfundimtar”, tha Merz në një konferencë për shtyp në Berlin.
Izraeli të hënën goditi spitalin Nasser në jug të Rripit të Gazës, duke vrarë të paktën 20 persona, përfshirë pesë gazetarë që punonin për Reuters, Associated Press, Al Jazeera dhe media të tjera.
Izraeli goditi spitalin fillimisht, dhe pastaj pas 10 minutash, në momentin kur mbërritën gazetarët dhe ekipet mediatike, e goditi përsëri të njëjtën lokacion.
Kameramani Hussam al-Masri, një nga gazetarët e vrarë në sulme, ishte bashkëpunëtor i Reuters. Fotograf Hatem Khaled, gjithashtu bashkëpunëtor i Reuters, u plagos.
Zyrtarët në Gaza bënë të ditur edhe emrat e tre gazetarëve të tjerë: Mariam Abu Dagga, për të cilën Associated Press tha se punonte me kontratë për AP dhe media të tjera që nga fillimi i luftës në Gaza; Mohammed Salama, për të cilin Al Jazeera konfirmoi se punonte për televizionin; dhe Moaz Abu Taha. Mes të vrarëve ishte edhe një shpëtimtar, shtuan zyrtarët shëndetësorë.
Ky qëndrim dhe këto mesazhe të Friedrich Merz-it, pas faktit që Izraeli në Gaza ka vrarë deri tani mbi 200 gazetarë, dhe madje për disa vrasje është mburrur publikisht, janë tregues i qartë i kolapsit moral të Gjermanisë në raport me gjenocidin në Gaza.