Izraeli dorëzon trupin e aktivistit palestinez, i cili kontribuoi në dokumentarin fitues të çmimit Oscar

Izraeli dorëzoi trupin e aktivistit palestinez, Awdah Muhammed Hadalin, i cili kontribuoi në dokumentarin fitues të çmimit Oscar dhe që u qëllua për vdekje nga një kolon izraelit

Autoritetet izraelite dorëzuan trupin e aktivistit palestinez, Awdah Muhammed Hadalin, i cili kontribuoi në dokumentarin fitues të çmimit Oscar dhe që u qëllua për vdekje nga një kolon izraelit që uzurpoi tokën palestineze në Bregun Perëndimor të pushtuar më 28 korrik, transmeton Anadolu.

Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve WAFA raportoi se Izraeli ka kthyer trupin e Hadalinit. Trupi i Hadalinit do të dërgohet për varrim në vendlindjen e tij, fshatin Umm al-Khayr në Masafir Yatta.

Autoritetet izraelite refuzonin të kthenin trupin e Hadalinit, duke vendosur kushte të tilla si mosngritja e një tende ngushëllimi, varrimi i tij diku tjetër dhe të mos tejkalohet numri prej 15 pjesëmarrësve në varrim.

– Sulmuesi izraelit vrau palestinezin që kontribuoi në dokumentarin fitues të çmimit Oscar

Yinon Levi, një kolon izraelit që uzurpoi tokën palestineze, hapi zjarr pa dallim në Masafir Yatta, në jug të Khalilit, më 28 korrik. Sulmi i Levit rezultoi në vrasjen e aktivistit 31-vjeçar palestinez, Awdah Hadalin, i cili kontribuoi në dokumentarin fitues të çmimit Oscar në vitin 2025 “No Other Land”.

Një gjykatë izraelite urdhëroi që Levi të vendoset në arrest shtëpiak, pasi u publikuan pamjet e vrasjes së aktivistit palestinez. Më vonë gjykata e liroi Levin me pretendimin se provat ishin “të dobëta”.

Ish-presidenti i SHBA-së, Joe Biden kishte vendosur sanksione ndaj Levit, i cili vrau Hadalin, për sulmet e tij ndaj civilëve palestinezë.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump i hoqi sanksionet kundër Levit pasi mori detyrën.

Kategoritë
BotaLajme