– Në dritën e përleshjeve të armatosura të vazhdueshme pranë fortesës me shumicë druze, autoritetet izraelite “kanë rënë dakord të lejojnë hyrjen e përkohshme të personelit të sigurisë së regjimit sirian në Suwayda”
Izraeli do të lejojë vendosjen e kufizuar të forcave të sigurisë së brendshme siriane në qytetin jugor Suwayda për 48 orë mes përshkallëzimit të dhunës në rajon, transmeton Anadolu.
Transmetuesi publik izraelit KAN raportoi se në dritën e përleshjeve të armatosura të vazhdueshme pranë fortesës me shumicë druze, autoritetet izraelite “kanë rënë dakord të lejojnë hyrjen e përkohshme të personelit të sigurisë së regjimit sirian në Suwayda”.
Transmetuesi izraelit tha se masa është e kufizuar në 48 orë dhe vjen si pjesë e një “përpjekjeje të llogaritur për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm përgjatë kufirit verilindor të Izraelit”.
Deri më tani nuk ka ndonjë koment nga autoritetet siriane mbi vendimin e Izraelit.
Më herët gjatë ditës, shpërthyen përleshje të rënda midis fraksioneve të armatosura druze dhe forcave fisnore beduine pranë hyrjes perëndimore në Suwayda
– Përleshjet në Suwayda dhe sulmet izraelite
Më 13 qershor, shpërthyen përleshjet midis fiseve arabe beduine dhe grupeve të armatosura druze në Suwayda. Dhuna u përshkallëzua, duke çuar në sulme vdekjeprurëse nga luftëtarët druzë ndaj forcave të sigurisë siriane të vendosura në zonë pasi dhjetëra ushtarë u raportuan të vrarë.
Midis forcave qeveritare dhe fraksioneve lokale druze u arrit një armëpushim i përkohshëm, por shpejt u thye kur pasuan sulmet ajrore izraelite, duke vënë në shënjestër pozicionet dhe infrastrukturën ushtarake siriane.
Izraeli ka përmendur “mbrojtjen e komuniteteve druze” si pretekst për sulmet në Siri, veçanërisht në jug të vendit. Megjithatë, shumica e udhëheqësve druzë në Siri kanë hedhur poshtë publikisht çdo ndërhyrje të huaj dhe kanë riafirmuar angazhimin e tyre për një shtet të bashkuar sirian.
Pas rënies së Bashar al-Assadit në dhjetor të vitit 2024, Izraeli intensifikoi fushatën ajrore në Siri dhe shpalli zonë tampon pjesën midis dy vendeve të shfuqizuar së bashku me Marrëveshjen e Çlirimit të vitit 1974.
Assadi, udhëheqësi i Sirisë për pothuajse 25 vjet, në muajin dhjetor u arratis në Rusi, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, e cila ishte në pushtet që nga viti 1963.
Një administratë e re kalimtare e udhëhequr nga presidenti Ahmad al-Sharaa u formua në Siri në muajin janar.