Izraeli dhe Turqia po garojnë për një kontratë të madhe japoneze për dronë: Në lojë mbi gjashtë miliardë dollarë

Japonia së fundmi ka shqyrtuar blerjen e dronit Heron Mark II të kompanisë izraelite Israel Aerospace Industries, si pjesë e një buxheti prej 1 bilion jenësh (6,3 miliardë dollarë) të dedikuar për blerjen e mjeteve pa pilot, raportoi faqja “Defense Blog”.

Ndërkohë, sipas “Army Recognition”, Japonia po analizon gjithashtu edhe dronët turq, të cilët konsiderohen teknologjikisht po aq të avancuar, por më të lirë.

Përveç tyre, Japonia po shqyrton edhe dronin turk Kargu (dron vetëvrasës), si dhe modele nga Spanja dhe Australia.

Buxheti i mbrojtjes së Japonisë u rrit me 21% në vitin 2024, duke arritur rreth 55,3 miliardë dollarë, por mbetet më i ulët në krahasim me vende si Ukraina, Arabia Saudite dhe Gjermania.

Ndërsa NATO së fundmi rriti objektivin e saj për buxhetin e mbrojtjes nga 2% në 5% të PBB-së, ministri japonez i mbrojtjes Gen Nakatani njoftoi këtë vit se Tokio do ta rrisë buxhetin e mbrojtjes vetëm me 2% deri në vitin 2027.

Sa i përket dronëve, Japonia ka planifikuar në buxhetin e mbrojtjes për vitin 2025 261 milionë dollarë për blerjen e dronëve amerikanë MQ-9B SeaGuardian, të cilët do të përdoren për misione të zbulimit detar.

Njëkohësisht, janë ndarë 20 milionë dollarë për blerjen e dronëve të vegjël sulmues, me të cilët Japonia synon të rrisë sigurinë në ishujt jugperëndimorë të saj.

Nga këndvështrimi japonez, kërcënimi më i madh, ashtu si për shumicën e vendeve të rajonit aziatiko-paqësor, mbetet Kina, e ndjekur nga Koreja e Veriut.

Kategoritë
BotaLajme