– Që nga 7 tetori 2023, kur Izraeli nisi sulmin e tij në Rripin e Gazës, ka pasur një rritje të ndalimeve, bastisjeve dhe sulmeve kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe në Kudsin Lindor
Ushtria izraelite arrestoi 3.850 palestinezë, përfshirë 400 fëmijë dhe 125 gra, në Bregun Perëndimor dhe Kudsin e pushtuar në gjysmën e parë të këtij viti, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar nga Shoqata e të Burgosurve Palestinezë, Komiteti i të Burgosurve dhe të Liruarve të Organizatës Çlirimtare të Palestinës dhe Autoriteti i Mbrojtjes së të Burgosurve Zamir, u dhanë informacione në lidhje me ndalimet e kryera nga ushtria izraelite në Bregun Perëndimor.
“Izraeli arrestoi 3.850 persona, përfshirë 400 fëmijë dhe 125 gra, në gjysmën e parë të vitit 2025”, thuhet në deklaratë.
Numri më i lartë i ndalimeve në periudhën gjashtëmujore ndodhi në mars, me 800 palestinezë të arrestuar në muajin në fjalë.
Ndalimet ndikuan palestinezët nga të gjitha sferat e jetës, me të rinjtë dhe ata të liruar nga burgu në krye të listës.
Numri më i lartë i ndalimeve ndodhi në qytetet veriore të Jenin dhe Tulkarm, ku këto provinca përjetuan sulmet më të rënda që nga Intifada e Dytë.
Forcat izraelite arrestuan 920 palestinezë në Jenin dhe 455 në Tulkarm në gjysmën e parë të këtij viti.
Është vënë re se “hetimet në terren” që janë bërë në kohët e fundit, i kanë lënë në hije ndalimet dhe se këto hetime shoqërohen me krime jo më pak të rënda se ato që vuajnë palestinezët në qendrat e paraburgimit.
Në deklaratën e përbashkët raportohet gjithashtu se 19 palestinezë të ndaluar në burgjet izraelite humbën jetën në gjashtë muajt e parë të këtij viti.
Dhjetë nga ata që humbën jetën ishin nga Gaza dhe 9 nga Bregu Perëndimor, përfshirë një fëmijë me emrin Velid Ahmed nga qyteti Silvad, në lindje të Ramallahut.
Izraeli ka arrestuar më shumë se 18 mijë njerëz, përfshirë 560 gra dhe 1.450 fëmijë, që nga gjenocidi që filloi në Gaza më 7 tetor 2023.
Në burgjet izraelite ndodhen 10.800 palestinezë, përfshirë 50 gra, 450 fëmijë dhe 3.629 të paraburgosur administrativë.
Që nga 7 tetori 2023, kur Izraeli nisi sulmin e tij në Rripin e Gazës, ka pasur një rritje të ndalimeve, bastisjeve dhe sulmeve kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe në Kudsin Lindor.
Gjatë kësaj periudhe, të paktën 998 palestinezë u vranë dhe afërsisht 7.000 u plagosën në bastisjet në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.