Qytetarët izraelitë kanë marrë paralajmërime në telefonat e tyre për shkak të një “kërcënimi serioz”, ndërsa autoritetet zyrtare kanë bërë thirrje që të qëndrojnë pranë strehimoreve. Vendi po përgatitet për një goditje të madhe nga Irani.
Në qytetet izraelite është krijuar atmosferë e vërtetë rrethimi – raftet e supermarketeve po zbrazen me shpejtësi, ndërsa qytetarët në panik po blejnë ujë, ushqime të konservuara dhe furnizime bazë.
Kryeministri Benjamin Netanyahu u tha qytetarëve që të përgatiten për një qëndrim më të gjatë në strehimore:
“Nuk ka luftëra pa kosto. Ndoshta do t’ju duhet të qëndroni në hapësira të mbrojtura më gjatë se ç’jemi mësuar,” tha ai.
Ushtria izraelite ka paralajmëruar se rreth 100 dronë iranianë janë nisur drejt Izraelit, si kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë e Teheranit ndaj sulmeve ajrore izraelite të natës së kaluar mbi objektiva ushtarake dhe bërthamore në Iran, përfshirë edhe vetë qendrën e Teheranit. Disa raportime pohojnë se Izraeli “brenda dhjetë minutash i bëri Iranit atë që kundër Hezbollahut i duhej dhjetë ditë”.
Sistemi shëndetësor në gjendje lufte
Institucionet shëndetësore në Izrael kanë kaluar në regjim lufte – janë mobilizuar shërbimet për transfuzion gjaku dhe spitalet po lirojnë pacientët e qëndrueshëm për të krijuar hapësira për të lënduarit e mundshëm.
Në Bregun Perëndimor të pushtuar, autoritetet izraelite kanë shpallur bllokadë të plotë në të gjitha qytetet palestineze, pa dhënë një datë përfundimi.
Vendi ndodhet zyrtarisht në gjendje gatishmërie të lartë: hapësira ajrore është mbyllur, shkollat dhe bizneset janë të mbyllura, ndërsa mijëra rezervistë janë thirrur në shërbimin ushtarak.
Kujtojmë se mëngjesin e sotëm ushtria izraelite kreu sulmin më intensiv ndonjëherë ndaj Iranit, duke goditur objekte ushtarake dhe bërthamore. Sipas autoriteteve izraelite, në këto sulme u vranë disa komandantë të lartë ushtarakë dhe gjashtë shkencëtarë bërthamorë të Republikës Islamike.
Reagimi i Iranit
Udhëheqësi suprem i Iranit, ajatollah Ali Khamenei, paralajmëroi se Izraeli “duhet të presë një ndëshkim të rëndë” për këtë që e cilësoi si “krim”.
Menjëherë pas sulmeve, Irani – sipas ushtrisë izraelite – ka lëshuar mbi 100 dronë drejt Izraelit, ndërsa forcat izraelite janë në gatishmëri të plotë për t’i interceptuar.
Reagimi amerikan
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se SHBA-të nuk ishin të përfshira në sulmet izraelite, por paralajmëroi Teheranin që të mos guxojë të sulmojë bazat amerikane në rajon.