Ministri i Jashtëm italian, Tajani thotë se gazetarët duhet të jenë në gjendje të punojnë të sigurt në Rripin e Gazës, pas sulmit të ushtrisë izraelite që vrau 5 gazetarë
Izraeli duhet të garantojë sigurinë e gazetarëve në Gaza, tha ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, pasi 5 gazetarë u vranë në një sulm izraelit ndaj një spitali në jug të Rripit të Gazës, transmeton Anadolu.
“Lidhur me temën e medias në Gaza, ne kemi miratuar tashmë një dokument së bashku me shumë vende të tjera. Qëndrimi ynë për lirinë e shtypit mbetet i pandryshuar”, tha Tajani duke iu referuar deklaratës së përbashkët të javës së kaluar nga 27 vende.
“Ne besojmë se është e drejtë të garantohet siguria e gazetarëve dhe është e drejtë që gazetarët të mund të kryejnë punën e tyre edhe në Rripin e Gazës”, tha ai, sipas agjencisë së lajmeve ANSA.
Të paktën 20 palestinezë, përfshirë 5 gazetarë dhe 1 zjarrfikës, u vranë dhe disa të tjerë u plagosën të hënën në një sulm izraelit në kompleksin mjekësor “Nasser” në Khan Younis, në jug të Rripit të Gazës.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha se ushtria izraelite goditi katin e katërt të njërës prej ndërtesave të kompleksit me dy sulme ajrore, duke vënë në dukje se sulmi i dytë ndodhi ndërsa ekipet e shpëtimit mbërritën për të evakuuar të plagosurit.
Televizioni zyrtar i Palestinës raportoi se midis të vrarëve ishte kameramani i saj, Hussam al-Masri, ndërsa kanali i Katarit, Al Jazeera, konfirmoi se edhe fotografi i saj, Mohammad Salama u vra.
Një burim mjekësor i cituar nga Anadolu konfirmoi vdekjen e fotoreporteres Mariam Abu Dagga. Fotoreporteri Moaz Abu Taha u vra gjithashtu në sulmin izraelit që synonte spitalin.
Burime mjekësore konfirmuan gjithashtu për Anadolu se Ahmed Abu Aziz, një reporter i pavarur me faqet e lajmeve tuniziane dhe marokene, vdiq nga plagët që mori në sulmin izraelit.