– Ish-ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant tha se Tel Avivi do të kryejë sulme të reja ndaj objekteve bërthamore të Iranit nëse ky i fundit zhvillon aktivitetet bërthamore
Ish-ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant kërcënoi se Tel Avivi do të kryejë sulme të reja ndaj objekteve bërthamore të Iranit nëse ky i fundit zhvillon aktivitetet bërthamore, transmeton Anadolu.
Përmes llogarisë së tij në mediat sociale Gallant ndau një letër drejtuar udhëheqësit iranian Ali Khamenei.
Gallant paraqiti akuza të shumta ndaj qëndrimit të qeverisë së Teheranit kundër Tel Avivit, duke pretenduar se “Irani u përpoq të rrethonte Izraelin përmes forcave të tij të ndërmjetme, por dështoi”.
Ai pretendon se ish-Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, “i kërkoi leje Khameneit” për t’u përfshirë në konfliktin midis Izraelit dhe Hamasit pas 7 tetorit 2023, por udhëheqësi iranian e refuzoi këtë.
Pasi vuri në dukje se Irani ka një popullsi prej 90 milionë banorësh dhe është më shumë se 60 herë më i madh se Izraeli për sa i përket territorit, Gallant vazhdoi pretendimin duke thënë se “Sot Irani është më i prekshëm se kurrë”.
“Teherani ka disa mundësi, por asnjëra prej tyre nuk është e lehtë. Ju mund të përshpejtoni zhvillimin bërthamor, por ndoshta do të shohim se çfarë ndërtoni dhe do të godasim atë që shohim”, tha ish-ministri izraelit.
Gallant mbrojti idenë se nëse Irani synon të posedojë “armë bërthamore” ata do të jenë të jenë të informuar për këtë dhe se nëse ky hap ndërmerret, Izraeli do ta “bëjë Teheranin të paguajë çmim të rëndë”.