Ish-kryeshefi i KPM-së dënohet me dy vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë

Ish-kryeshefi i Komisionit të Pavarur për Media, Luan Latifi është dënuar me dy vite burgim efektiv e 5 mijë euro gjobë për marrje ryshfeti.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore e Prishtinës, Mirlinda Gashi.

Sipas aktgjykimit, Latifit iu shqiptua edhe dënim plotësues- ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vitesh.

Siç bëhet e ditur në dënimin e shqiptuar me 2 vite burgim, Latifit do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 2 nëntor 2021, e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj dy të akuzuarve Luan Latifi dhe Arben Bilalli, duke e refuzuar si të pabazuar kërkesën për hudhje të aktakuzës ndaj të akuzuarit Latifi dhe po ashtu kishte ndërprerë masën e arrestit shtëpiak ndaj tij dhe të akuzuarit Bilalli.

Kategoritë
LajmeVendi