Ish-kryeministri izraelit pranon: Dërguam terminale Starlink në Iran për të ndihmuar protestat kundër qeverisë

Ish-kryeministri i Izraelit, Naftali Bennett, ka pranuar se Izraeli kishte kontrabanduar pajisje interneti satelitore Starlink në Iran për të ndihmuar protestuesit kundër qeverisë iraniane. Megjithatë, ai tha se qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu nuk e vazhdoi këtë plan.

Duke folur në samitin JNS International Policy Summit në Jerusalem, Bennett deklaroi se gjatë mandatit të tij si kryeministër (2021–2022) kishte nisur një proces për sigurimin dhe futjen në Iran të dhjetëra mijëra terminaleve Starlink.

“Kam nisur procesin e furnizimit dhe kontrabandimit në Iran të dhjetëra mijëra terminaleve Starlink, të cilat do të mundësonin vazhdimësinë e internetit dhe rrjeteve sociale”, tha Bennett.

Starlink, në pronësi të kompanisë SpaceX të drejtuar nga Elon Musk, ofron shërbime interneti satelitor. Irani ka akuzuar më herët Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara për futjen e këtyre pajisjeve në territorin iranian me qëllim destabilizimin e vendit. Megjithëse Starlink nuk ka licencë zyrtare për të operuar në Iran, Musk kishte deklaruar më parë se shërbimi ishte aktiv në vend.

Sipas Bennettit, këto pajisje synonin t’u mundësonin protestuesve koordinimin e aktiviteteve dhe, në fund, rrëzimin e qeverisë iraniane.

“Fatkeqësisht, qeveria aktuale e paaftë izraelite e ndaloi këtë projekt. Kur shpërthyen protestat, ajo infrastrukturë nuk ekzistonte”, u shpreh ai.

Autoritetet iraniane kanë kufizuar vazhdimisht qasjen në internet gjatë periudhave të trazirave, përfshirë protestat mbarëkombëtare në janar dhe gjatë konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit që nisi në fund të shkurtit.

Sipas raportimeve të Reuters, shumë iranianë iu drejtuan përdorimit të Starlink-ut gjatë ndërprerjeve të internetit.

Bennett, lider i një partie të djathtë dhe një nga politikanët opozitarë që synojnë të zëvendësojnë Netanyahun në zgjedhjet që pritet të mbahen deri në tetor, deklaroi gjithashtu se Izraeli dhe vendet e tjera të Lindjes së Mesme duhet “të bashkojnë forcat për të zmbrapsur dhe në fund për të rrëzuar” regjimin iranian.

“Është një regjim i kalbur, i vjetër, i shkëputur nga realiteti dhe i paaftë. Ai do të rrëzohet ashtu siç u rrëzua Bashkimi Sovjetik”, tha Bennett mes duartrokitjeve të të pranishmëve.

Kategoritë
BotaLajme