Ish-ministri i Jashtëm holandez, Caspar Veldkamp, kërkon përfundimin e luftës, dhe sipas tij politikat e kryeministrit izrealit, Benjamin Netanyahu, kërcënojnë sigurinë dhe identitetin e Izraelit
Ish-ministri i Jashtëm holandez, Caspar Veldkamp, ka paralajmëruar se politikat e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, në Gaza kanë dëmtuar legjitimitetin e Izraelit në mbarë botën, transmeton Anadolu.
Në komentet e transmetuara nga Kanali 12 i Izraelit, Veldkamp tha se ofensiva në shkallë të gjerë në Qytetin e Gazës dhe vendimet e Kabinetit izraelit janë “të dëmshme për sigurinë e Izraelit dhe për identitetin e tij”.
Ai theksoi se konflikti duhet të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur, duke thënë se nuk është më lufta “mbrojtëse dhe e justifikuar” që dukej se ishte pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023.
“Unë i kushtoj shumë rëndësi sigurisë dhe të ardhmes së Izraelit, por nuk pajtohem fuqimisht me politikën e qeverisë në Gaza. Lufta duhet të përfundojë”, tha ai.
Ish-ministri shtoi se qeveria e Netanyahut “ka humbur përfundimisht legjitimitetin e saj në sytë e botës”.
Veldkamp, i cili shërbeu si ambasador i Holandës në Izrael midis viteve 2011 dhe 2015, dha dorëheqjen të premten nga posti i ministrit të Jashtëm pasi propozimet e tij për sanksione shtesë kundër Izraelit u bllokuan nga partnerët e koalicionit.
Ai kishte bërë thirrje për ndalimin e importit të vendbanimeve dhe masa të tjera në përgjigje të sulmit të planifikuar në Qytetin e Gazës, por partitë e koalicionit bllokuan propozimet e tij.