Ish-ambasadori amerikan trondit me deklaratën: “Fëmijët në Gaza nuk janë të pafajshëm nëse janë pasardhës të pjesëtarëve të Hamasit”

Ish-ambasadori amerikan në Izrael, Jacob Lew, i cili e mori këtë post gjatë mandatit të dytë të presidentit Joe Biden, ka shkaktuar polemika të ashpra pas një interviste për The New Yorker, ku tha se fëmijët e pjesëtarëve të supozuar të Hamasit në Gaza mund të konsiderohen objektiva legjitime të Izraelit.

“Shpesh, historitë që qarkullonin në momentin e ndonjë sulmi në Gaza dilnin të pasakta, dhe aparati shtetëror izraelit nuk ishte në gjendje të sqaronte menjëherë çfarë kishte ndodhur. Më vonë rezultonte se numri i viktimave ishte më i vogël, se civilët ishin më pak, dhe se shumë prej atyre fëmijëve në fakt ishin fëmijë të luftëtarëve të Hamasit, e jo fëmijë që ndodheshin rastësisht aty”, tha Lew.

Kur gazetari i intervistës e pyeti i habitur: “Më falni, çfarë thatë sapo?”, Lew u përgjigj:

“Ata shpesh ishin fëmijët e vetë luftëtarëve.”

Duke vazhduar, ai shtoi:

“Nëse jeni komandant i Hamasit dhe sillni familjen tuaj në një lokacion ushtarak, situata është krejt ndryshe. Legjitimiteti i objektivit ushtarak del nga popullata që ndodhet aty.”

Retorika izraelite për “mungesën e të pafajshmëve në Gaza”

Kjo deklaratë përputhet me narrativën e politikanëve izraelitë, të cilët shpesh përsërisin publikisht se në Gaza “nuk ka njerëz të pafajshëm, përfshirë fëmijët”. Një sondazh i kryer nga një organizatë izraelite tregoi se shumica dërrmuese e hebrenjve izraelitë besojnë se “në Gaza nuk ka të pafajshëm”.

Mbrojtja e Netanyahut

Gjatë intervistës, Lew u përball edhe me akuzat se mbron kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe koalicionin e tij të ekstremit të djathtë. Ai vetë u justifikua duke kujtuar një ese të tij të botuar së fundmi në Foreign Affairs:

“Nëse politika është e vështirë, fajësoni Shtetet e Bashkuara. Lejimi që Netanyahu të justifikohej duke iu referuar kërkesave amerikane ishte thelbësor atëherë — dhe mbetet thelbësor edhe sot.”

Kategoritë
BotaLajme