– Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Esmaeil Baqaei, tha se “aftësitë mbrojtëse të Iranit nuk do të jenë kurrë subjekt i negociatave”
Irani ka deklaruar se nuk do t’i vendosë aftësitë mbrojtëse në tryezë në asnjë negociatë mbi programin bërthamor të Tel Avivit, transmeton Anadolu.
Siç raporton agjencia shtetërore e lajmeve IRNA, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Esmaeil Baqaei, në një konferencë për media në Teheran tha se “aftësitë mbrojtëse të Iranit nuk do të jenë kurrë subjekt i negociatave”.
Baqaei gjithashtu konfirmoi se asnjë inspektor bërthamor ndërkombëtar nuk po vepron aktualisht në Iran. Megjithatë, ai tha se një vizitë nga zv/drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Massimo Aparo, është planifikuar të zhvillohet “brenda 10 ditëve të ardhshme”.
Baqaei kujtoi se parlamenti iranian më herët miratoi legjislacionin që pezullon aspekte të angazhimit të Iranit me IAEA-në, duke shtuar se rruga përpara do të vendoset pas udhëtimit të Aparo-s.
Më 16 maj, tre nënshkruesit evropianë të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, respektivisht Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania, u takuan në Stamboll dhe ranë dakord të mbajnë kontaktin mes bisedimeve indirekte midis Iranit dhe SHBA-së.
Negociatat midis Iranit dhe SHBA-së u zhvilluan përmes ndërmjetësuesit Omanit deri në sulmin e papritur të Izraelit ndaj Iranit më 13 qershor, i cili shkaktoi një luftë 12-ditore, duke shënjestruar objekte ushtarake, bërthamore dhe civile, si dhe komandantë të lartë ushtarak dhe shkencëtar bërthamor.
Teherani nisi sulme hakmarrëse me raketa dhe dronë, ndërsa SHBA-ja bombardoi tre objekte bërthamore iraniane.