Irani ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën se bazat dhe anijet e tyre në rajon do të jenë objektiva nëse ndihmojnë në ndalimin e sulmeve iraniane ndaj Izraelit.
Ndërkohë, ministri izraelit i mbrojtjes, Israel Katz, paralajmëroi se “Teherani do të digjet nëse sulmet me raketa ndaj civilëve izraelitë vazhdojnë”.
“Diktatori iranian i ka marrë qytetarët iranianë peng, duke krijuar një realitet ku ata – veçanërisht banorët e Teheranit – do të paguajnë një çmim të lartë për dëmet flagrante që u janë shkaktuar qytetarëve izraelitë. Nëse Hamnei vazhdon të lëshojë raketa drejt frontit të brendshëm izraelit, Teherani do të digjet,” tha Katz në një deklaratë.
Të shtunën në mëngjes, Irani lëshoi një valë të re raketash ndaj Izraelit si përgjigje ndaj sulmeve ajrore të paprecedenta të Izraelit mbi objektiva ushtarake dhe bërthamore në territorin iranian – duke rritur ndjeshëm frikën nga përshkallëzimi i konfliktit në rajon.
Ushtria izraelite njoftoi të shtunën se forcat e saj ajrore po vazhdojnë të godasin objektiva brenda Iranit.
Dy persona humbën jetën dhe 19 të tjerë u plagosën kur një raketë iraniane goditi pranë shtëpive në Izraelin qendror në orët e hershme të së shtunës, sipas shërbimit të urgjencës izraelite. Një grua tjetër u vra në një sulm me raketë në zonën e Tel Avivit, duke e çuar numrin e viktimave në tre.
Në Iran, të paktën 78 persona kanë humbur jetën dhe mbi 320 janë plagosur nga sulmet izraelite, njoftoi të premten ambasadori i Iranit në OKB.
Po ashtu, televizioni shtetëror iranian njoftoi të shtunën se 60 persona, përfshirë 20 fëmijë, janë vrarë në një sulm izraelit ndaj një kompleksi banimi në Teheran.