Irani feston fitore diplomatike: “Ka përfunduar epoka e poshtërimit, bota po dëshmon fundin e dominimit amerikan”

Kryetari i Parlamentit të Iranit dhe negociatori kryesor iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, deklaroi se Teherani zyrtar i ka treguar botës se ka përfunduar epoka e imponimit të vullnetit ndaj kombeve të pavarura, duke e cilësuar “Memorandumin e Islamabadit” si një humbje të qartë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në fjalimin e tij në hapjen e sesionit të 20-të të Konferencës së Unionit Parlamentar të Shteteve Anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (PUIC) në Baku, Ghalibaf theksoi se politika e Republikës Islamike të Iranit bazohet në bindjen se siguria e rajonit duhet të garantohet vetëm nga vendet që jetojnë në të.

“Asnjë vend në rajon nuk do ta gjejë sigurinë e tij në pasigurinë e të tjerëve”, tha Ghalibaf.

Duke folur për tensionet dhe konfliktet e fundit, ai deklaroi se nuk bëhej fjalë vetëm për një përplasje ushtarake, por për një përpjekje të organizuar për të ndryshuar ekuilibrin strategjik në Lindjen e Mesme dhe për t’i imponuar vullnetin e huaj një kombi të lirë.

“Ata që planifikuan agresionin besonin se me presion ushtarak, bllokada, operacione psikologjike dhe akte terroriste mund ta detyronin popullin iranian të tërhiqej dhe të riformësonin ekuacionet rajonale sipas dëshirave të tyre. Megjithatë, ndodhi krejt e kundërta. Populli iranian tregoi se epoka e imponimit me forcë ndaj kombeve të pavarura ka marrë fund. Bota pa se si Irani rezistoi dhe arriti fitore”, deklaroi ai.

Megjithëse pranoi se konfliktet sollën humbje dhe dëme të mëdha për popullin iranian, Ghalibaf pretendoi se në fund Irani arriti të mposhtte SHBA-në dhe Izraelin.

“Në kushtet më të vështira, rezistenca dhe vendosmëria e një kombi mund të rrëzojnë të gjitha llogaritë e agresorëve. Paqja e qëndrueshme nuk arrihet me dorëzim, presion dhe poshtërim, por me forcë, dinjitet dhe respekt të ndërsjellë”, theksoi ai.

Një pjesë të veçantë të fjalimit ia kushtoi marrëveshjes së arritur në kryeqytetin e Pakistanit, duke e përshkruar atë si një fitore diplomatike të Teheranit dhe një kapitullim të Uashingtonit.

“Marrëveshja e Islamabadit nuk është rezultat i presionit dhe detyrimit, por i rezistencës dhe forcës së popullit iranian. Ky marrëveshje tregoi se dialogu jep rezultate vetëm kur pala tjetër heq dorë nga përpjekjet për t’ia imponuar me forcë vullnetin një kombi të lashtë dhe të qytetëruar dhe kur njeh të drejtat e tij. Pikërisht për këtë arsye, Memorandumin e Islamabadit e konsiderojmë një deklaratë të humbjes amerikane”, përfundoi Ghalibaf.

Kategoritë
BotaLajme