Irani dhe vendet evropiane sërish në Stamboll për bisedime mbi programin bërthamor

Irani ka pranuar të marrë pjesë në këto bisedime të reja me kërkesë të vendeve evropiane, të cilat janë nënshkruese të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015

Përfaqësues të Iranit dhe vendeve evropiane po mblidhen sërish në Stamboll për të zhvilluar një raund të ri bisedimesh mbi aktivitetet bërthamore të Teheranit, raporton Anadolu.

Këto bisedime zhvillohen në Konsullatën e Përgjithshme të Iranit në Stamboll dhe përfaqësojnë takimin e dytë në këtë format.

Iranin në këto bisedime e përfaqësojnë zëvendësministrat e Jashtëm Majid Takht-Ravanchi dhe Kazım Kazem Gharibabadi. Ndërkaq, pala evropiane përbëhet nga i ashtuquajtura grupi E3, i cili përfshin Britaninë, Francën dhe Gjermaninë.

Irani ka pranuar të marrë pjesë në këto bisedime të reja me kërkesë të vendeve evropiane, të cilat janë nënshkruese të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015. Marrëveshja, e njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), synon të kufizojë kapacitetet bërthamore të Iranit në këmbim të lehtësimeve të sanksioneve ndërkombëtare.

Edhe pse legalisht ende ekzistuese, marrëveshja bërthamore mbetet në masë të madhe jofunksionale që kur SHBA-ja vendosi të tërhiqet në mënyrë të njëanshme në vitin 2018 gjatë mandatit të parë të presidentit Donald Trump.

Takimi i mëparshëm mes palëve u mbajt më 16 maj, po ashtu në Stamboll, në nivel zëvendësministrash të jashtëm. Rifillimi i dialogut shihet si një përpjekje për të ruajtur dhe rivendosur zbatimin e marrëveshjes bërthamore në një kohë kur tensionet ndërkombëtare mbi programin bërthamor të Iranit vazhdojnë.

Kategoritë
BotaLajme