Irani bëhet anëtar i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait

Irani bëhet anëtar i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait

Presidenti kinez Xi Jinping në fjalimin e tij gjatë samitit i bëri thirrje SCO-së që të kundërshtojë “ndërtimin e barrierave dhe mureve”

Irani u bë anëtari i nëntë i plotfuqishëm i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO) në fund të samitit të 23-të të Këshillit të Kryetarëve të Shteteve të SCO-së, raporton Anadolu.

“Shtetet anëtare theksuan rëndësinë historike të pranimit të Republikës Islamike të Iranit në SCO si një Shtet Anëtar i plotfuqishëm”, thuhet në Deklaratën e New Delhi-t të lëshuar në fund të samitit.

Anëtarët e SCO-së vunë në dukje gjithashtu “rëndësinë” e nënshkrimit të memorandumit të detyrimeve nga Bjellorusia për “të arritur statusin e një shteti anëtar të SCO-së”.

Në fjalimin e tij në samit, presidenti rus Vladimir Putin i kërkoi SCO-së t’i japë Bjellorusisë anëtarësimin e plotë.

Kryeministri indian Narendra Modi, nikoqir i samitit të mbajtur përmes videokonferencës, tha se ishte “i lumtur që Irani po bëhet anëtar i grupit të SCO-së”, duke shtuar se samiti do të hapte gjithashtu rrugën që Bjellorusia të bëhet një anëtare e përhershme e bllokut.

Në fjalimin e tij gjatë samitit, presidenti kinez Xi Jinping i bëri thirrje SCO-së që të kundërshtojë “ndërtimin e barrierave dhe mureve”.

“Kina është e gatshme të punojë me anëtarët e tjerë për t’iu përmbajtur drejtimit të duhur të globalizimit ekonomik, kundërshtimit të proteksionizmit, sanksioneve të njëanshme dhe shtrirjes së tepërt të konceptit të sigurisë kombëtare”, tha Xi.

India këtë vit është nikoqire e samitin që mbahet përmes videokonferencës. Kazakistani do të marrë përsipër kryesimin e grupit nga India.

Pjesë e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait janë Kina, India, Irani, Kazakistani, Kirgistani, Pakistani, Rusia, Taxhikistani dhe Uzbekistani.

Kategoritë
BotaLajme
Reklamë: ABE Kosova