– Dy nga hebrenjtë iranianë të ndaluar thuhet se kanë shtetësi amerikane. Thuhet se 30 nga hebrenjtë iranianë të ndaluar u liruan më vonë.
Të paktën 35 hebrenj iranianë u arrestuan me akuzën e “spiunazhit për Izraelin” gjatë sulmeve të Izraelit ndaj Iranit muajin e kaluar, transmeton Anadolu.
Kanali televiziv shtetëror izraelit KAN raportoi se 35 hebrenj iranianë u arrestuan gjatë sulmeve të nisura nga qeveria e Tel Avivit më 13 qershor dhe që zgjatën për 12 ditë.
Midis personave të ndaluar nën dyshimin për “spiunazh për Izraelin” ishin dy hebrenj iranianë me shtetësi amerikane.
Raportohet se 30 nga 35 hebrenjtë iranianë të ndaluar pas hetimeve u liruan. Pesë hebrenj, njëri prej të cilëve është shtetas amerikan, janë aktualisht të ndaluar në Iran.
– Konflikti Izrael-Iran
Më 13 qershor, Izraeli nisi sulme në shkallë të gjerë duke synuar objektet bërthamore në qytete të ndryshme iraniane, përfshirë komandën e lartë ushtarake.
Në Iran, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, komandanti i Përgjithshëm i Gardës Revolucionare, disa komandantë të lartë dhe 9 shkencëtarë bërthamorë humbën jetën në këto sulme.
Numri i përgjithshëm i viktimave civile në sulmet izraelite ishte 1.100 ndërsa numri i të plagosurve 5.600. Sipas Izraelit, 28 persona u vranë dhe 1.272 u plagosën në sulmet me raketa të kryera nga Irani.
SHBA-ja e cila mbështet hapur Izraelin, më 22 qershor sulmoi tre objektet bërthamore të Iranit në Natanz, Fordo dhe Isfahan. Më 23 qershor, Irani në shenjë hakmarrjeje për sulmin amerikan sulmoi bazën ajrore Al Udeid në Katar, e cila është në pronësi të SHBA-së.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi një armëpushim midis Iranit dhe Izraelit më 24 qershor.